Theksoi se në operacionin e vitit 2011 pati rrjedhje të informacioneve, njohësi i çështjeve të sigurisë, Shkëlzen Sopjani, vlerëson se nuk ka përmirësime të situatës në veri që nga ajo kohë.
Megjithatë, ai thotë se përmirësime vërehen dukshëm në veprimet e Policisë së Kosovës.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Shkëlzen Sopjani ka deklaruar se në operacionin e vitit 2011 në veri të Republikës së Kosovës pati rrjedhje të informacioneve.
Në RTV Dukagjini, ai deklaroi se atë ditë, edhe kishte pasur shkarkime brenda Policisë së Kosovës.
“Operacioni ka qenë, nuk ka pasur planifikim ku me ditë sa të mirë, ka pasur rrjedhje të informacionit, sepse atë natë kur është bërë informacioni ka pasur edhe shkarkim të ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të policisë atë kohë. Kemi pasur çakordim të theksuar… Prapë se prapë, ka mbërri efekt ai operacion edhe pse mandej i patëm barrikadat.”, ka deklaruar ai.
Tutje, Sopjani thekson se një mosbesim në mes institucioneve të Kosovës ishte evident.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se situata në veri të Republikës së Kosovës nuk ka ndryshuar shumë që nga viti 2011. Ai thotë se grupet kriminale dhe akterët e përfshirë mbesin po të njëjtit.
“Në atë kohë kur ndodhi tentativa e parë serioze nga insitucionet e Kosovës për të shtrirë sovranitetit, rastisi të isha duke punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ndaj isha afër ngjarjeve. Nëse bëjmë një krahasim atje dhe sot, nuk është se ka shumë përmirësim të sigurisë në atë pjesë të Kosovës sepse prapë i kem akterët pak a shumë të njëjtë të përfshirë në atë pjesë që janë strukturat e Serbisë ose të Rusisë, janë grupet kriminale që bashkëpunojnë ngushtë me to”, ka deklaruar ai. “Struktura e grupeve është pak a shumë e njëjtë, prej akterëve kryesor që i kemi sot e që disa nuk janë fizikisht në Kosovë, kanë qenë akterë në atë kohë. Vendimmarrja është bërë pak a shumë prej individëve të njëjtë… Milani ka qenë aty, ka qenë ai që ka marr vendimet”.
Megjithatë, Sopjani ka deklaruar se një përmirësim dallohet tek Policia e Kosovës. Sipas tij, veprimet e tyre sot janë më mirë të menduara e koordinuara.
“Nëse bëjmë një paralele atëherë me sot, operacionet atëherë dhe sot, mund të shohim se ka një koordinim pak më të mirë, goxha më të mirë të strukurave tona. Veprimet janë më mirë të planifikuara, e kam fjalën për Policinë. Mirëpo prapë se prapë, nuk kemi ndonjë përmirësim të theksuar të sigurisë në atë pjesë”, ka deklaruar ai.
Në këtë operacion vdiq oficeri i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.