Ish-ministri çek pa Portofolio, Jaroslav Basta, i cili shërbeu nën kabinetin e presidentit aktual të Çekisë më 1998-2000, Millosh Zeman, teksa ka folur për ndërhyrjen ushtarake të NATO’s në Kosovë përgjatë 1999’ës, ka thënë se “spastrimi etnik nganjëherë tingëllonte pak trillues”.
Basta këto deklarime i bëri për mediumin çek ‘Irozhlas’, derisa ka thënë se arsyeja kryesore e intervenimit të NATO’s në Kosovë ishte frika nga emigrantët, që sipas tij, do të kolapsonin ekonomikisht Evropën.
“Pra, Evropa kërcënohet nga deri në shtatë milion refugjatë më shumë. Kjo ishte arsyeja kryesore pse NATO shkoi për të, gjithçka tjetër vjen nga lajmet e rreme”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, ai i ka dalur krah edhe presidentit Zeman për kërkimfaljen e mbështetjes së bombardimeve të NATO’s, duke thënë se e kupton plotësisht.
“Ne kemi marrë një vendim më shumë se njëzet vjet më parë dhe kërkimfalja ka të bëjë me vendimin që ishte atëherë, jo me situatën që është tani. Unë gjithashtu e perceptoj atë nga këndvështrimi i një personi që vlerëson vendimet e tij për të kaluarën, dhe edhe pse ai e di se ishte e nevojshme, ai është gjithashtu i vetëdijshëm për efektet negative”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka kërkuar shkarkimin e presidentit Zeman, duke thënë se “Presidenti Zeman kërkon falje pas njëzet vjetësh dhe nuk e di që UÇK nuk është më në pushtet në Kosovë”.
“Fakti që Presidenti Zeman kërkon falje pas njëzet vjetësh dhe nuk e di që UÇK nuk është më në pushtet në Kosovë, është e pakuptimtë, është një temë për të cilën politika Çeke duhet të vendosë. Jo për gjërat para njëzet vjete. Këto shkarje po e dëmtojnë Republikën Çeke dhe Millosh Zeman duhet të shkarkohet menjëherë”, ka deklaruar ai.