Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është vizituar në Hagë nga vëllai i tij Blerimi dhe dy miqtë e tij, Milaim Cakiqi dhe Hamdi Krasniqi, raporton Gazeta “Enigma”.
Lajmin për vizitën që ia bënë Thaçit në Hagë, e ka bërë të ditur Milaim Cakiqi, me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook.
“U ndjeva shumë mirë që e pashë, pas vizitës që kisha dje në Hagë, sepse takimet me të kudo janë frymëzuese”, shkruan Cakiqi ndër të tjera.
Postimi i tij i plotë:
T’fala nga Haga!
Hashim Thaçi ishte i ri kur e nisi rrugëtimin për liri dhe pavarësi. Me besim të palëkundur e bëri luftën dhe paqen. E bëri historinë e re dhe Kosovën e re.
Me besim të palëkundur po qëndron edhe në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, i privuar nga liria, por i pathyer, i panënshtruar dhe i pa dorëzuar.
U ndjeva shumë mirë që e pashë, pas vizitës që kisha dje në Hagë, sepse takimet me të kudo janë frymëzuese. Një lider i formësuar në vitet më të rënda që përjetoi populli ynë, nuk mund të thyhet nga askush. Hashim Thaçi ka qenë, është dhe vazhdon të jetë i pathyeshëm. Në luftë, në liri, në paraburgim, kudo, ai është i madh!