Ish-prokurori Blakaj për rastin “Veteranët”: Ligji i qartë, manipuluesit tentojnë të krijojnë mjegull dhe shfajësim

Ish-prokurori Blakaj për rastin “Veteranët”: Ligji i qartë, manipuluesit tentojnë të krijojnë mjegull dhe shfajësim


Ish-prokurori Elez Blakaj ka reaguar pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Themelore në Prishtinë për çështjen “Veteranët”, duke theksuar përmbajtjen e Ligjit, i cili sipas tij është i qartë, përkundër mjegullës që disa tentojnë të krijojnë, raporton Gazeta Enigma.

“Pas gati 7 viteve, Gjykata Themelore në Prishtinë paska marrë vendim për rastin e veteranëve. Për ata që kanë mashtruar, gënjyer, shpifur si dhe për ata që kanë futur duart në rast, mos u bëni marak, sepse Apeli e kthen rastin përsëri në rigjykim”, tha Blakaj.

Blakaj i cili ishte prokurori i parë që u morr me rastin “Veteranët”, iu referua neni 3 i Ligjit Nr. 04/L-261, i cili thekson se kush është realisht veteran.

1.3. Veteran i UÇK-së – pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës si:

• 1.3.1. Invalid i luftës së UÇK-së – luftëtari, pjesëtari dhe i internuari (i burgosuri) i UÇK-së, i cili ka pësuar plagë, lëndime (dëmtime) fizike dhe psikike apo sëmundje të rënda gjatë luftës ose në burgjet dhe kampet e armikut, gjatë periudhës së luftës, me shkallë të invaliditetit së paku 10%.

• 1.3.2. Veteran luftëtar i UÇK-së – qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga komandat, shtabet e zonave operative të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, dhe ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.

• 1.3.3. I internuar i UÇK-së – secili person i cili, për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtar i UÇK-së, është arrestuar gjatë periudhës 1997–1999 dhe mbajtur në burg nga forcat e Serbisë.

• 1.3.4. Pjesëtar i UÇK-së – çdo person i cili, me vendim apo akt tjetër, është caktuar të kryejë detyra konkrete në mbështetje politike, logjistike, financiare dhe detyra të tjera, të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, gjatë periudhës 1997–1999.

• 1.3.5. Pjesëmarrës në luftë – ushtari që është radhitur në radhët e UÇK-së, ka qenë i angazhuar në mënyrë aktive për të kontribuar në luftë, por për arsye të ndryshme i ka lëshuar radhët e UÇK-së para përfundimit të luftës.

• 1.3.6. Ushtar i zhdukur (i pagjetur) i UÇK-së – veterani ose pjesëtari i UÇK-së, fati i të cilit ende nuk është zbardhur.

“Të gjitha këto kategori të lartcekura janë veteranë dhe duhet të vlerësohet e respektohet kontributi i secilit”, theksoi ai.

Blakaj thekson se sipas Ligjit Nr. 04/L-261, të gjitha kategorive të sipërpërmendura u garantohen beneficione dhe përparësi, por PAGESË/PENSION, sipas këtij ligji, marrin vetëm Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së — “dhe pikërisht KJO pagesë/pension ka qenë pika e kthesës ku procesi ka devijuar seriozisht’.

“Përkufizimi dhe kategorizimi i lartcekur është produkt 100% i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së, i cili në fazat e mëvonshme të verifikimit, bashkë me mekanizmat e tij, e ka zbatuar këtë ligj sipas dëshirës”.

Sipas tij “manipuluesit dhe avokuesit e tyre qëllimisht e përdorin vetëm shprehjen VETERANË në debate publike”, “me qëllim që të krijojnë mjegull dhe shfajësim, duke e shmangur kategorizimin e tyre, ani pse e dinë shumë mirë që pension, sipas këtij ligji, marrin vetëm dy kategori: Invalidi i luftës së UÇK-së dhe Veterani luftëtar i UÇK-së”.

“Kështu thotë ligji e të tjerat janë dëshira, e para se të bëhej ligj ka thënë ky Komision, i cili më vonë është penduar… por ka qenë vonë”, shtoi Blakaj. / Gazeta Enigma.

Related Articles