Leotrim Kurteshi, shef i Urgjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan “Dr.Nagip Rexhepi” njoftoi “dorëheqjen” dhe foli për disa shkelje nga ana e personelit shëndetësor aty, madje në një rast ai pretendon se mjeku i Urgjencës nuk i është përgjigjur thirrjes së pacientit për ndihmë dhe për pasojë pacienti vdes.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka konfirmuar nisjen e hetimeve.
E pyetur nëse Prokuroria e Gjilanit ka nisur hetime për rastin brenda QKMF-së siç pretendon mjeku Leotrim Kurteshi, zëdhënësja Liridona Xheladini tha:
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, ka autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime hetimore në mënyrë që të sqarohen pretendimet lidhur me këtë çështje”, tha për Express, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Liridona Xheladini.
Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, paralajmëron se edhe prokurori i OMK-së shumë shpejtë do të nis hetimet për këtë rast.
“Lajmin e kemi nga mediat dhe besoj se Prokurori i Odës do fillojë shumë shpejt me hetimet rreth këtyre pretendimeve të dr.Kurteshit”, tha Sejdiu.