Ish-zëvendësministri i Brendshëm, Selam Shkodra, ka thënë se tri vrasjet e ditëve të fundit në Kosovë, kanë ndodhur për shkak të çalimit të një hallke të sigurisë.
Ai ka theksuar se zhvillimet në veri të vendit kanë bërë që fokusi të mos jetë te siguria më e madhe në komunitet.
“Këto nuk janë vrasje të zakonshme, janë ekzekutime. Kuptohet që mund të them mirë të organizuara sepse të tri rastet janë nga njerëz që kanë një numër të madh të precedentëve penalë dhe të njëjtat kanë ndodh mes grupeve rivale”, ka thënë Shkodra në Klan Kosova.
Ai ka shtuar se njëra nga këto raste që ndodhi është afër një masakre që ka ndodhur në qendër të Prishtinës dhe jo shumë larg nga stacioni qendror i Policisë së Kosovës.
“Ndoshta edhe dy të tjerat që janë në Klinë dhe Skenderaj, lënë të kuptohet që grupet apo njerëzit e papërgjegjshëm kanë marrë erë që një hallkë e sigurisë ka filluar të çalojë dhe të njëjtit janë bërë agresivë dhe për pasojë kemi humbjen e tri jetëve të njerëzve”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Policia duhet të dalë me analizë rreth zhvillimeve javën e fundit që ka ndodhur sepse vendi është tronditur prej këtyre vrasjeve.
“Besoj që hallka e cila ka çaluar është direkt Policia e Kosovës, por mund të them që edhe fokusi i madh për zhvillimet në veriun e vendit ka bërë që vëmendja të mos jetë te kontrollet rutinore dhe hartimi i planeve operative që ka për qëllim sigurinë më të madhe në komunitet”, ka vlerësuar Shkodra.