Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, gjatë fjalimit në seancën e Kuvendit, ka bërë të ditur se kanë iniciuar Projektligjin për rregullimin e çmimeve të barnave dhe kërkoi që ky projektligj të aprovohet se më parë, raporton Gazeta Enigma.
Ismajli tha se qeveria nuk po merret me çështjet që prekin direkt jetën e qytetarëve.
“Në maj 2019 pata nënshkruar Udhëzimin për rregullimin e çmimeve të barnave dhe të ndalohet abuzimi me çmime… Fatkeqësisht edhe pse u nënshkrua implementimi nuk ndodhi asnjëherë…”, tha ai, duke shtuar se tashmë kanë iniciuar Projektligjin për këtë çështje.
Sipas tij, ilaçet e 20 eurove, qytetarët gjatë pandemisë i blinin nga 200 e 300 euro.
“Duhet ta përkrahim këtë Projektligj për rregullimin e çmimit të barnave. Ta ndalim korrupsionin dhe abuzimin me çmimet…”, tha deputeti i PDK-së, duke kërkuar nga ministri Vitia që të mos hezitojë për këtë draftligj.
“Do ta ketë përkrahjen tonë që ta ndalojë korrupsionin dhe abuzimin me çmimet e barnave”, tha Ismaili.
Ndryshe, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka falënderuar Ismajlin për kontributin duke theksuar se pret mbështetje edhe nga të gjitha partitë politike.