Iu thye zyra, jep dorëheqje drejtoresha e buxhetit në Gjilan, Herolinda Murati – Leka

Iu thye zyra, jep dorëheqje drejtoresha e buxhetit në Gjilan, Herolinda Murati – Leka

Herolinda Murati- Leka, ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e drejtoreshës për Buxhet dhe Financa në komunën e Gjilanit, një ditë pasi zyra e saj dyshohet se u thye, raporton Gazeta Enigma.

Këtë ajo e ka konfirmuar përmes një postim ku ka shkruar se situatën në komunë e cilëson si të papranueshme dhe të pasigurt.

Tutje, në letër ajo theksoi se pas një periudhe të gjatë të krizës qeverisëse dhe pasigurisë, vendosi që të largohet nga detyra, duke përmendur si arsye bllokimin e miratimit të buxhetit për vitin 2025 dhe veprime të papranueshme ndaj saj nga persona të paidentifikuar.

“Prej disa muajsh, Komuna e Gjilanit është duke kaluar një krizë të thellë qeverisëse, si pasojë e mungesës së një shumice funksionale në Kuvendin Komunal. Kjo ka sjellë bllokimin e miratimit të buxhetit për vitin 2025, duke pamundësuar realizimin e projekteve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë. Ndonëse kam paralajmëruar publikisht në mbledhjen e Kuvendit Komunal mbi problemet e mundshme që do të mund të ndodhnin nga mënyra se si është votuar draft-buxheti për vitin 2025, kjo gjë nuk mori vëmendjen tuaj. Në një situatë të tillë, puna ime si drejtoreshë është bërë e pamundur dhe krejtësisht e pakuptimtë“, thotë ajo.

Ajo përmendi edhe një incident të fundit, kur dyshohet se persona të paautorizuar kanë hyrë në zyrën e saj gjatë kohës kur ajo nuk ishte në punë, duke e cilësuar këtë veprim si një shenjë të pasigurisë institucionale.

Drejtoresha, e cila ka shërbyer në këtë detyrë, shprehet e bindur se nuk mund të kontribuonte më në një ambient të tillë, ku vlerat institucionale dhe etika qeverisëse janë të kërcënuara.

“Për këto dhe shumë arsye të tjera, kam marrë vendimin për të dërguar dorëheqjen time të parevokueshme, e bindur se në një ambient të tillë nuk mund të kontribuoj në mënyrë profesionale, të ndershme dhe të efektshme në të mirë të qytetarëve”.

Ajo shprehu falënderime për bashkëpunëtorët e saj dhe qytetarët e Gjilanit për mbështetjen dhe besimin e dhënë gjatë periudhës në detyrë. / Gazeta Enigma.

Related Articles