Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën ka shpallur aktgjykim dënues në gjykimin në mungesë ndaj Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, të akuzuar për dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare gjatë luftës dhe pjesëmarrje në dëbimin e popullatës civile shqiptare, plaçkitjen e tyre, kryerjen e dhunës fizike dhe psiqike ndaj civilëve. Dy të akuzuarit u dënuan me nga 15 vjet burgim.
Aktgjykimi naj Rajkoviq dhe Deniq u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri.
Gjykatësi Beqiri tha se dënimi për të akuzuarit do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotuqishmërisë së aktgjykimit.
Palët e dëmtuara u udhëzuan në kontest civil.
Të akuzuarit obligohen edhe për shpenzimet e procedurës- secili nga 200 për paushallin gjyqësor dhe nga 100 euro për fondin për kompensmin e viktimave të krimit, të gjitha 15 ditë nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në 27 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, të cilët akuzohen se si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë luftës në Kosovë, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Prishtinës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, morën pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, plaçkitjen e tyre, kryerjen e dhunës fizike dhe psiqike ndaj tyre.
Aktakuza thotë se me përdorimin e dhunës dhe veprimeve tjera çnjerëzore kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143, par.1, nënpar.1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.