Pas deklaratave të Hamasit dhe presidentit amerikan Donald Trump lidhur me propozimin për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për lirimin e pengjeve, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se Shefi i Shtabit, Gjenerallejtënant Eyal Zamir, është takuar me gjeneralët më të lartë për një “vlerësim të posaçëm të situatës në dritën e zhvillimeve”.
Në një deklaratë të ushtrisë thuhet se “sipas urdhrit të nivelit politik”, Zamir u ka kërkuar Forcave Mbrojtëse të Izraelit që të përgatiten “për zbatimin e fazës së parë të planit të Trump për lirimin e pengjeve”, pa dhënë detaje të saktë mbi përmbajtjen e këtij urdhri, raporton timesofisrael.
Deklarata gjithashtu konfirmon raportimet se liderët politikë i kanë urdhëruar IDF-së të ndalojë ofensivën për marrjen e qytetit të Gazës dhe të përqendrohet në operacione mbrojtëse, duke theksuar: “Siguria e forcave tona është me rëndësi supreme dhe të gjitha kapacitetet e IDF-së do t’i caktohen Komandës së Jugut për mbrojtjen e trupave tona”.
“Shefi i shtabit theksoi se, për shkak të ndjeshmërisë operative, forcat duhet të tregojnë një gatishmëri dhe vetëdije të shtuar. Po ashtu, u theksua nevoja për një reagim të shpejtë për të neutralizuar çdo kërcënim”, shtohet në deklaratë.
Kjo vjen pas një video-mesazhi të presidentit amerikan, Donald Trump, në të cilin ai i bëri thirrje Izraelit të ndalojë bombardimet në Gazë, pasi Hamasi ka pranuar propozimin amerikan për t’i dhënë fund luftës.
Radioja ushtarake izraelite raportoi se urdhri kërkon që operacionet të reduktohen në minimum dhe që trupat në terren të kryejnë vetëm të ashtuquajturat “manovra mbrojtëse”.
Ky urdhër u dha pas bisedimeve gjatë natës midis zyrtarëve izraelitë dhe atyre amerikanë.