Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se këtë vit nuk do të ketë greva në arsim.
Ai ka adresuar kritika për MASHTI-n rreth përgatitjeve për vitin e ri shkollor.
Jasharaj tha se ky viti shkollor do të fillojë pa greva, por me telashe dhe pa përgatitjet e duhura.
“Sa i takon SBASHK-ut këtë vit nuk do të ketë greva. Ky është lajm i mirë për prindërit e ndoshta jo për Qeverinë. Nga ajo që dje kemi dëgjuar po duket se edhe pa greva ky viti shkollor do të fillojë me telashe dhe pa përgatitje. Këtë vit shkollor do ta fillojmë prapë pa mjete bashkëkohore të punës, pa projektorë, do ta fillojmë edhe me mungesë të librave. Çështja është e kompleksuar. MASHTI është ai që vendos me ekipet se çfarë tekstesh duhet të përdoren dhe është fajtori i vetëm pse nuk do të kemi tekste shkollore me kohë nëpër shkolla”, tha ai në RTK.
Ai tha se është keq që viti shkollor do të fillojë pa konsulta.
“Ministrja Nagavci nuk e ka parë të udhës t’i takojë Asociacionin e Komunave, as Kolegjiumin e Drejtorëve, as SBASHK-un e as Këshillin e Prindërve siç ka qenë zakon dy javë para fillimit të vitit shkollor”, tha ai.
Sipas Jasharajt shkollat nga ana teknike kanë bërë përgatitjet e tyre, teksa shtoi se nuk është e lehtë nëse vonohet shpërndarja e teksteve shkollore.
“Duhet goxha kohë të shpërndahen librat, sepse kemi komuna që kanë shkolla në periferi, në vende rurale dhe nuk është krejt e thjeshtë të ndahen. Pastaj duhet të ndahen klasë për klasë, nxënës për nxënës dhe kjo kërkon kohë”, u shpreh ai.