Java Botërore e Ndërgjegjësimit për Antibiotikët

Java Botërore e Ndërgjegjësimit për Antibiotikët

Marrja e antiviotikëve kur ata nuk nevojiten përjashton antibiotiko rezistencën. Infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve janë më komplekse dhe më të vështira për tu trajtuar.

Ato mund të prekin çdo njeri, në çdo moshë dhe në çdo vend, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Java Botërore e Vetëdijesimit për Antibiotikë, është nga 18-24 nëntor.

Keqpërdorimi i antibiotikëve na rrezikon të gjithëve

Përdorini ato vetëm nën rekomandimin e mjekut!

Shumë sëmundje shkaktohen nga bakteret ose viruset. Antibiotikët janë medikamente të rëndësishme që përdoren për mjekimin e infeksioneve bakterore si në njerëz dhe në kafshë dhe jo në infeksionet virale, por jo gjithmonë ato janë zgjidhje.

Antibiotikët po humbasin efektivitetin e tyre, që do të thotë më shumë vdekje dhe më shumë komplikacione për njerëzit, pasi ne nuk po i përdorim ato siç duhet. Nëse bakteret bëhen rezistente ndaj antibiotikëve, shumë mjekime të thjeshta do të bëhen përsëri të rrezikshme për shëndetin tonë.

Viruset shkaktojnë sëmundje të zakonshme të cilat nuk mund të mjekohen me antibiotikë si: gjendje gripale, kollë, rrjedhje hundësh, dhimbje fyti, bronkite dhe disa infeksione të sinuseve apo të veshit.

Marrja e antibiotikëve në rastin e sëmundjeve virale:

  • NUK DO T’JU SHËROJË nga sëmundja që keni
  • NUK DO T’JU NDIHMOJË që të ndiheni më mirë
  • NUK DO T’I MBROJË të tjerët nga sëmundja juaj

Mos harroni se marrja e antibiotikëve sjell rriziqe nëse përdoret pa recetën e mjekut!

Marrja e antibiotikëve sjell rreziqe të mundshme për shëndetin. Antibiotikët duhet të përdoren vetëm kur mjeku i rekomandon ato si të nevojshme për sëmundjen.

 Përdorimi i antibiotikëve mund:

  • Të vrasë bakteret e mira që ndodhen në trupin e njeriut, gjë që mund të çojë në komplikacione të tilla si diarre.
  • Të shkaktojë reaksione alergjike serioze të cilat mund të kërkojnë shtrim në spital.
  • Të rezultojë në zhvillimin e infeksioneve rezistente ndaj antibiotikut. Bakteret rezistente janë të vështirë për t’u eliminuar. Ato mund të qëndrojnë në trupin e njeriut dhe mund të shkaktojnë sëmundje të rënda. Mjekimi për një infeksion rezistent mund të kërkojë një trajtim me antibiotikë më të fuqishëm (antibiotikë të gjeneratës së 2-të ose 3-të), ndoshta dhe shtrim në spital. Bisedoni me mjekun për mënyrën më të mirë të kujdesit për shëndetin tuaj gjatë kohës së sëmundjes.

Fakte të thjeshta rreth përdorimit të antibiotikëve

  1. Antibiotikët janë medikamente të cilat shpëtojnë jetë

Përdorimi i antibiotikëve në mënyrën e duhur është mënyra më e mirë për të ruajtur efektivitetin e tyre për sëmundjet bakterore.

  1. Antibiotikët trajtojnë vetëm infeksionet bakterore

Nëse keni një infeksion viral si p.sh. një të ftohur, ju duhet të bisedoni me mjekun për   mënyrën sesi të lehtësoni simptomat e sëmundjes. Këshillat mund të përfshijnë lëngje të ngrohta, pushim.

  1. Disa infeksione të veshit nuk kërkojnë përdorimin e antibiotikëve

Mjeku do të përcaktojë llojin e infeksionit të veshit që keni dhe nëse është i nevojshëm përdorimi i antibiotikëve. Mjeku mund të presë disa ditë përpara se të japë antibiotikun, pasi ju mund të ndiheni apo bëheni më mirë edhe pa filluar antibiotikun.

  1. Pjesa më e madhe e rasteve me dhimbje fyti nuk kërkojnë trajtim me antibiotikë

Vetëm 1 në 5 fëmijë të cilët janë vizituar nga mjeku për dhimbje fyti kanë infeksion të fytit të shkaktuar nga streptokoku, i cili duhet trajtuar me antibiotikë. Mjeku mund ta konfirmojë këtë infeksion vetëm me kryerjen e testit me material nga fyti.

  1. Mukusi me ngjyrë jeshile nuk është shenjë që duhet të fillojmë një antibiotik

Meqenëse sistemi imunitar i trupit lufton infeksionin, mukusi mund të ndryshojë ngjyrë. Kjo është një dukuri normale dhe ju nuk keni nevojë të merrni antibiotikë.

  1. Ekzistojnë rreziqe të mundshme kur marrim antibiotikët që na përshkruan mjeku

Përdorimi i antibiotikëve mund të shkaktojë komplikacione, duke filluar nga një irritim i stomakut deri në reaksione alergjike serioze. Mjeku juaj duhet të vlerësojë përfitimet dhe rreziqet përpara se të përshkruajë një antibiotik.

Kryeni disa veprime të thjeshta:

  • Mos kërkoni antibiotikë por trajtojini simptomat e gjendjes gripale dhe të kollës sipas këshillave të mjekut.
  • Merrini antibiotikët siç përshkruhen nga mjeku.
  • Mos i ruani antibiotikët për t’i përdorur në të ardhmen.
  • Mos i ndani antibiotikët me të tjerët.

E rëndësishme është që antibiotikët të përdoren në mënyrën, llojin dhe dozën e duhur, si dhe në kohën dhe për periudhën e duhur.

Gjithmonë kërkoni këshillën e profesionistit shëndetësor përpara se të përdorni antibiotikët./Gazeta Enigma/

Related Articles