“Jemi të nderuar që Kosova shpalli ditë zie për Madeleine Albright”

“Jemi të nderuar që Kosova shpalli ditë zie për Madeleine Albright”

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se ShBA-ja ndihet e nderuar që Kosova sot shpalli Ditë Zie në nderim të jetës dhe veprës së Ish-sekretares së shtetit, Madeleine Albright.

Hovenier tha se lidershipi i Albright shpëtoi jetë dhe vendosi siguri për gjeneratat e ardhshme.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të nderuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpallur ditën e sotme Ditë zie për nder të Madeleine Albright, udhëheqja e së cilës shpëtoi jetë dhe siguroi siguri dhe prosperitet për brezat e ardhshëm. Faleminderit që e keni njohur Madeleine sot dhe vazhdoni të nderoni kujtimin e saj duke ndërtuar një demokraci të begatë, multietnike”, ka thënë Hovenier.

Ish-kryediplomatja amerikane, Madeleine Albright vdiq para dy ditësh në moshën 84 vjeçare.

Ndërkaq sot në Kosovë është shpallur ditë zie në nderim të veprës së ish-Sekretares së Shtetit dhe ndihmës ndaj popullit të Kosovës në vitin 1999.

Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më i lartë i vendit në mandatin e saj të dytë. Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.

Albright është e njohur për rolin e saj kyç në negociatat në Rambuje mes palës shqiptare dhe asaj serb, që i paraprin fushatës së bombardimeve të NATO-s në Serbi.

Në qendër të Prishtinës, në një shesh që mban emrin e ish-sekretares amerikane, është edhe busti i saj, në shenjë nderimi për rolin e zonjës Albright për çlirimin e Kosovës, 22 vjet më parë.

Related Articles