“Jo që nuk na ndihmuat por edhe po na fundosni”, gastronomët paralajmërojnë protesta për kthimin e TVSH-së në 18%

“Jo që nuk na ndihmuat por edhe po na fundosni”, gastronomët paralajmërojnë protesta për kthimin e TVSH-së në 18%

“More Rrenc, në tavolinë më ke premtu mu e atyre që ishin me mua, që TVSH-në ki me vazhdu në 8% sa të ekziston pandemia. Jo që nuk na ndihmuat por edhe po na fundosni”.

Këto kanë qenë fjalët e Kryetarit të Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, menjëherë pas njoftimi për kthimin  e TVSH-së në 18% nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Kllokoqi ka deklaruar se ka mbetur shumë i zhgënjyer nga ky vendim i ministrisë.

“Është hera e parë që një politikan më rren në sy , m’falni për shprehjen rrenc po pernime jom zhgenjyer”.

Petrit Kllokoqi, Kryetar i Shoqatës së Gastronomëve

Në lidhje me këtë ndryshim të TVSH-së, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, është deklaruar edhe Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, i cili ka shprehur shqetësimin e tij rreth kësaj çështje, duke theksuar se masat që do të marrin ata, nuk do të jenë të mira për Qeverinë.

“Bizneset janë në gjendje të keqe, prandaj edhe masat që do të marrin ditëve në vazhdim për të kundërshtuar këtë vendim nuk do të jenë të mira për Qeverinë”.

“Kemi pas një takim me ministrin Murati para 1 muaj dhe i kemi shpreh shqetësimet tona që me skadimin e vendimit që është deri me 31 dhjetor të këtij viti të vazhdohet së paku edhe për 3-4 vite për arsye se dihet në çfarë gjendje janë bizneset hoteliere dhe turistike”, ka theksuar ai.

Hysen Sogojeva, Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit

Vendimin e Qeverisë, Sogojeva e konsideron mjaftë shqetësues për të gjitha bizneset.

“Ne e pamë vendimin e ATK-së, vendimin i cili nëpërmjet tyre është shpërnda dhe të ju them të drejtën është një shqetësim mjaft i madh kështu që ne me çdo formë këtë do ta kundërshtojmë”.

Ai ka cituar se për shkak të festave të fundvitit do të presin edhe pak ditë, nëse Qeveria e Kosovës, nuk do ta diskutoj këtë temë me ta.

“Është festa kështu që po presim deri me 1, 2, 3 dhe nëse jo atëherë ne do të ulemi si kryesi e Odës dhe bashkë me të gjithë akterët që janë shoqatat tjera do të konsultohemi dhe do të shkojmë edhe në forma tjera të cilat nuk kishin me qenë mirë as për neve e as për Qeverinë”është shprehur Kryetari i kësaj Odës së Hotelerisë, Hysen Sogojeva.

Tutje ai nuk përjashton mundësinë e organizimit të protestave, duke theksuar se e konsideron të paarsyeshëm deklaratën e ministrit, Hekuran Murati për humbjet e shkaktuar pas vendosjes së kësaj mase.

“Protestat do të jenë të mundshme sepse ne kemi shpreh shqetësimet tona”, ka thënë ai.

“Merruni me krizën energjetike, lërni bizneset rehat”

Sipas Sogojevës, Qeveria e Kosovës më mirë e ka me u marrë me mungesën dhe problemet me rrymë, dhe t`i lë bizneset të punojnë me TVSH-në 8%, sa ishte për këtë vit.

“Arsyetimi  i Qeverisë ka qenë që diku 15 deri në 18 milionë ata po i humbin me këtë TVSh-në, a nuk po llogaritet që me qato miliona sa janë, këto i ndihmojnë bizneset për me mujt me jetu edhe prej tyre prapa me e marr tatimin. Kjo formë e arsyetimit për neve nuk qëndron”, ka cituar ai.

“Do të organizohemi, ndoshta ekziston një mundësi që mos t’i përgjigjemi, por ndoshta është herët me fol dhe nuk është mirë ky vendim. Ky vendim është mirë që të rishqyrtohet ose të korigjohet më mirë për me mujt bile me i’u dhanë edhe një afat sepse bizneset edhe ashtu janë keq”.

Në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ishte paraparë që të reduktohet norma e TVSH-së nga 18 në 8 për qind për hotelerinë dhe gastronominë gjatë vitit 2021, mirëpo ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, të mërkurën në një konferencë për media, ka thënë se nga 1 janari kjo normë do të rikthehet në 18 për qind.

“TVSh-ja e ulur nga 18 në 8 për qind ka qenë e paraparë që nga fillimi që të jetë në fuqi nga data 1 janar 2021 deri më 31 dhjetor 2021, dhe po skadon. Prej datës 1 janar të vitit të ardhshëm do të rikthehet në nivelin që ka qenë, pra 18 për qind”, deklaroi ai.

Në konferencën për media u prezantua edhe raporti i punës vjetore për Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Ministri i Financave, Murati e ka cilësuar një vit të suksesshëm tejkalimin e planit të buxhetit të rishikuar për 7 për qind nga kjo Administratë.

“Kemi pasur për herë të parë tejkalim edhe të buxhetit të rishikuar për 7 për qind. Një rezultat i tillë përveç që nënkupton një trajtim më të barabartë për të gjithë operatorët ekonomik, për të gjitha bizneset, në anën tjetër një performancë e tillë e mirë i mundëson edhe Qeverisë që të ketë të hyra më shumë për programe zhvillimore dhe për t’i mbështetur qytetarët e vendit drejtpërdrejt”, theksoi Murati.

Kurse sfidë, sipas ministrit vazhdon të mbetet formalizimi i ekonomisë për deklarim dhe përmbushje të obligimeve tatimore sipas ligjeve./Gazeta “Enigma”/

Related Articles