Klubi i Juventus-it nuk duket fort i bindur nga organika e lojtarëve që ka në skuadër.
Për këtë po mendon të kryejë disa transferime në hyrje dhe dalje në dy merkatot e ardhshme.
Sipas sajdit italian të transferimeve “Calciomercatoweb”, ndryshimet pritet të vijnë që nga linja e portës. Wojciech Szczesny, një dëshirë e trajnerit Massimiliano Allegri, duket se tashmë e ka humbur besimin e livornezit.
Juventus-i, nëpërmjet drejtorit teknik, Federico Cherubini-t, po kërkon që portierin polak ta shkëmbejë me David de Gea-n e Manchester United-it.
Edhe ky i fundit duket se e ka humbur rëndësinë në katërkëndëshin e “Djajve të Kuq”.
Me United-in pritet që të ketë bisedime edhe për një tjetër lojtar, Nemaja Matic-in.
Serbi, i cili nuk është i kënaqur me minutat e ofruara në “Old Trafford”, po mendon largimin.
Edhe Milan-i mbetet i interesuar për mesfushorin.
Në skenë është dhe një tjetër shkëmbim përveç atij Szczesny – De Gea. Kësaj radhe bëhet fjalë për Federico Bernardeschi-n që mund të kalojë te Roma e Jose Mourinho-s dhe në Torino të mbërrijë, Stephan El Shaarawy.
Allegri në vitin 2013, ishte njeriu që përkrahu El Shaarawy-n, duke i dhënë mundësinë të debutonte me ekipin e Milan-it dhe lojtari e ka konsideruar teknikun si “baba”.
“Zonja e Vjetër” pritet që në janar të bëjë një tentativë për mesfushorin e talentuar të Monaco-s, Aurelien Tchouameni.
Lojtari francez me orgjinë nga Kameruni është i datëlindjes 2000 dhe kushton rreth 40 milionë euro.
Giacomo Raspadori është një tjetër emër që Juventus-i ndjek me interes.
Pas shumë transferimesh që janë kryer mes Sassuolo-s dhe Juventus-it, ku së fundmi ishte ai i Manuel Locatelli-t, Raspadori pritet të jetë i radhës.
Sulmuesi 21-vjeçar, që tashmë është pjesë e Kombëtares A të Italisë, shikohet si një lojtar me mjaft perspektivë për të ardhmen, në majën e sulmit bardhezi së bashku me Moise Kean-in.
Sipas mediave italine, Juventus-i për t’u afruar më shumë me Raspadori-n është gati të dërgojë në huazim te Sassuolo, Kaio Jorge-n dhe Luca Pellegrini-n.