Juventusi shënon fitore të madhe ndaj Lecces

Juventusi shënon fitore të madhe ndaj Lecces

Juventusi i është gëzuar fitore përballë Lecces në Allianz Stadium (2-1) për të arkëtuar pikë të plota në ndeshjen e xhiros së 33-të në Serie A.

Zonja e Vjetër është kthyer te triumfi pas katër ndeshjeve pa fitore në kampionat (tri humbje dhe një barazim) duke u ngritur në pozitën e dytë në tabelë.

Mysafirët e futën topin në rrjetë të parë që në minutën e tretë, mirëpo goli i Assan Ceesay u anulua për pozitë jashtë loje pas konsultimit të VAR-it.

(Foto: Twitter/JuventusFC)

Leandro Paredes realizoi një gol të bukur nga gjuajtja e lirë për ta zhbllokuar rezultatin e takimit (15’).

Në vijim, edhe vendasve iu anulua një gol për pozitë jashtë loje në ndërtimin e aksionit. Ndërsa një prekje e topit me dorë brenda zonës nga Danilo u ndëshkua me penallti.

Përgjegjësin e mori Assan Ceesay dhe goditja e tij nga pika e bardhë nuk arriti të ndalej nga Wojciech Szczesny për të përfunduar në rrjetë (37’).

(Foto: Twitter/JuventusFC)

Vendasit e rikthyen epërsinë me golin e Dusan Vlahovic (41’), i cili shënoi me vole pas asistimit nga Filip Kostic.

Me gjithë rastet e shumta, gjysma e dytë nuk prodhoi gola dhe Juventusi u ngrit në kuotën e 63 pikëve, në garën për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Related Articles