Juventusit i shtohen problemet me lëndime në prag të edicionit të ri

Juventusit i shtohen problemet me lëndime në prag të edicionit të ri

Kur ka mbetur më pak se një javë deri te fillimi i sezonit 2022/23 në Serie A, problemet e Juventusit me lëndimet e lojtarëve po shtohen, ka shkruar AP të hënën. Portieri Wojciech Szczesny është bërë lojtari i fundit në të cilin Juventusi nuk mund të llogaritë për ndeshjen e parë të edicionit të ri. Edicioni i ri në Itali nis të shtunën, ndërsa Juventusi ndeshjen e parë e luan dy ditë më vonë. E pret skuadrën e Sassuolos.

Juventusi ka njoftuar të hënën se portieri polak ka pësuar një lëndim të muskulit të këmbës së majtë dhe do të duhet të pauzojë të paktën për tri javë. Portieri 32-vjeçar u dëmtua në miqësoren ndaj Atletico Madridit, të cilën Juventusi e humbi të dielën me rezultatin 4:0. Ai u zëvendësua me të përfunduar pjesa e parë.

“Për shkak të shqetësimit të ndjerë në fund të pjesës së parë të ndeshjes kundër Atletico Madridit, Wojciech Szczesny iu nënshtrua ekzaminimeve radiologjike këtë mëngjes, të cilat zbuluan një lëndim të shkallës së ulët të muskulit të kofshës së majtë. Lojtari pritet të jetë jashtë fushës për rreth 20 ditë”, thuhet në deklaratën e Juventusit.

Portieri polak nuk do të mungojë vetëm ndaj Sassuolos, por pritet të jetë jashtë fushës edhe për duelet ndaj Sampdorias, Romës e Spezias. Mungesa e Szczesnyt nuk është problemi i vetëm i trajnerit të Juventusit, Massimiliano Allegri. Lëndimi i fundit vetëm shton edhe më shumë telashet për trajnerin italian në prag të kampionatit të ri. Allegri për duelin ndaj Sassuolos nuk mund të llogarit as në Paul Pogban, Weston McKennien, Federico Chiesan e Kaio Jorgen, të gjithë të lënduar. Këta nuk pritet të kthehen në fushë edhe për disa muaj, sidomos Pogba që mund të mungojë deri në fund të vitit. Ndërkohë, të suspenduar për duelin e parë janë sulmuesi Moise Kean e mesfushori Adrien Rabiot. Në dyshim mbetet edhe Juan Cuadrado, i cili nuk u aktivizua ndaj Atleticos për shkak të problemeve me stomakun.

“Kjo është skuadra që e kemi në dispozicion për sezonin e ri dhe ndaj Sassuolos duhet të kërkojmë tri pikët. Duhet të startojmë furishëm, pavarësisht mungesave të shumta që i kemi për shkak të lëndimeve. Duket se faza përgatitore ka qenë e rëndë dhe e lodhshme, por ne duhet të vazhdojmë”, është shprehur Allegri.

Pogba ishte njëri prej transferimeve të mëdha të Juventusit këtë verë. Ai u rikthye te Juventusi si lojtar i lirë, pasi i skadoi kontrata me Manchester Unitedin. Si lojtar i lirë ekipit italian iu bashkua edhe Angel Di Maria që sezonin e fundit ishte pjesë e Paris Saint-Germainit. Ndërsa për mbrojtësin Gleison Bremer, Juventusi pagoi rreth 50 milionë euro për ta transferuar nga Torino.

Lëndimet e shumta kanë detyruar Juventusin të kthehet në treg për lojtarë të rinj. Dhe lojtarët që po përmenden se mund t’i bashkohen “Zonjës së Vjetër” janë Filip Kostiq nga Eintracht Frankfurti, Leandro Paredes nga PSG-ja dhe Alvaro Morata, që mund të kthehet sërish si huazim nga Atletico Madridi.

“Për momentin jam duke punuar vetëm me lojtarët që i kam në dispozicion. Për lojtarët e tjerë që nuk janë pjesë e Juventusit, nuk mund të flas”, ka insistuar Allegri.

Edicionin e shkuar, Juventusi përfundoi i katërti në Serie A, ndërsa këtë edicion Allegri ka paralajmëruar se ekipi i tij do ta synojë titullin e kampionit.

Related Articles