Sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, numri i rasteve të reja me COVID-19 dhe i atyre të vdekjeve, tash e disa ditë ka rënë, shkruan Gazeta Enigma.
Si rrjedhojë e kësaj, Gazeta Enigma ka dërguar pyetje drejt Ministrisës së Shëndetësisë se a ka hapësirë për lirim të masave dhe a pritet rishikimi i tyre.
Në përgjigjen me shkrim nga MSH-ja, thuhet se janë duke u rishqyrtuar masat e reja.
“IKShPK është duke përcjellur me vëmendje situatën epidemiologjike dhe varësisht prej zhvillimeve të saj dhe rekomandimeve të tyre profesionale janë duke u rishqyrtuar në vazhdimësi masat anti-Covid”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Gazetën Enigma.
Ndërsa, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu në lidhje me situatën e krijuar me COVID-19 në Kosovë, tha se ka manipulim të numrit të rasteve dhe vdekjeve.
Haxhiu tha se ka dyshime se nuk po regjistrohen të gjitha rastet e vdekjeve, ndërsa theksoi se masat e marra nga Qeveria nuk kanë pasur ndonjë efekt.
“Për këtë ekspertët duhet me vendosë edhe pse ka dyshime edhe për manipulim të numrit të rasteve të reja, e poashtu edhe të rasteve të vdekjeve sepse ka disa dyshime se nuk po regjistrohen të gjitha vdekjet. Ndërsa sa i përket rishikimit të masave u takon Qeverisë të vendosin edhe pse ato masa të vendosusa nuk ka pasur ndonjë efekt dhe nuk ka pasur ndonjë mbështetje për bizneset që janë prekur nga këto masa”, tha Haxhiu.
Ndërsa, infektologu, Ilir Tolaj, ka thënë se numri i rasteve të reja me COVID-19 është shumë i vogël dhe kjo sipas tij tregon se vala e tretë e virusit në Kosovë ka përfunduar.
Tolaj, gjithashtu ka thënë se në bazë të rezultateve të IKSHPK-së, kjo tregon se mbi 60% e kanë kaluar virusin dhe kanë krijuar një imunitet të caktuar, duke theksuar se e gjithë kjo situatë e bëjnë të mundshme dhe te domosdoshme rishqyrtimin e masave dhe lirimin e metejme te tyre.
“Gjendja epidemiologjike lidhur me COVID-19 ne Kosovë është jashtezakonisht e voliteshme. Numri i rasteve të reja është shumë i vogel, me tendencë të rënjes së vazhdueshme. Gjithashtu edhe numri i rasteve COVID-19 të hospitalizuara është jashtezakonisht i vogël. Këto të dhëna tregojne se vala e tretë e pandemisë në Kosovë ka përfunduar. Gjithashtu kjo flet se edhe për faktin se një përqindje shumë e lartë, mbi 60% me siguri, deri tash e kanë kaluar infeksionin me SARS CoV2 dhe kanë krijuar një imunitet të caktuar. E gjithë kjo situatë e bejnë të mundshme dhe të domosdoshme rishqyrtimin e masave dhe lirimin e mëtejmë të tyre. Nese autoritetet do të sigurojnë numër të mjaftuar të vaksinave dhe arrijnë që të përshpejtojnë dukshëm vaksinimin e popullatës me vaksinat antiCOVID, atëherë kjo do ti kontribojë edhe më tej normalizimit të gjendjes lidhur me pandemine duke e mundësuar kthimin e jetës në normalitetin postpandemik”, ka thënë Tolaj për Gazetën Enigma.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, më datë 19.04.2021 kanë marr vendim për miratimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID–19, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
/Gazeta Enigma/.