Donika Kadaj-Bujupi, këshilltare e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka reaguar nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, lidhur me disa kritika që kjo e fundit pati mbrëmë ndaj Presidentes Osmani.
Në reagimin e saj, këshilltarja e Presidentes ka paralajmëruar LDK-në tërthorazi, duke thënë se “nëse ju shkon mendja të filloni beteja me Presidenten, 12 përqindëshi do t’ju duket i mirë”.
“Juve mund edhe t’ju shkojë mendja ndonjëherë të filloni beteja me Presidenten, por pastaj mos u ankoni për rezultatet zgjedhore, sepse edhe 12 përqindëshi do t’ju duket i mirë”, ka shkruar Kadaj-Bujupi.
Sipas saj, gjuha e Bajramit ishte ofenduese dhe shpifëse, duke shtuar se ajo nuk kishte asnjë motiv racional.
“Nuk ka asnjë kuptim e rezon shtetëror që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesoreshë universitare e madje nënkryetare e një partie tradicionale në politikën tonë, të mos ketë asnjë problem me subjektin më agresiv kundër shtetësisë sonë – Listën Serbe – por të zgjedhë të sulmojë publikisht në një emision televiziv Presidenten e Republikës, pa asnjë motiv racional. Ato sulme po vazhdojnë edhe sot me gjuhë ofenduese, përplot shpifje dhe tentim denigrimi”, ka shkruar Kadaj-Bujupi në një postim në Facebook.
Sipas Kadaj-Bujupit, nuk është normale që Bajrami të ketë “problem me Presidenten e vendit të vet”.
Asaj i ka penguar edhe fakti që deputetja i është referuar Presidentes vetëm me “Vjosa Osmani”.
“Cila është porosia që deputetja në fjalë ka dashur t’u përcjellë qytetarëve me këtë qëndrim? Mbetet të besohet se nuk i ka llogaritur mirë fjalët dhe emocionet, sepse vështirë të besohet që dikush të mos ketë problem me Listën Serbe, por të ketë problem me Presidenten e vendit të vet. Vetëm urrejtja patologjike mund ta verbojë dikë kaq shumë, sa që me dhjetëra herë t’i referohet Kreut të Shtetit vetëm me ‘Vjosa Osmani’ e jo si Presidente – logjikë kjo që e shohim vetëm në mediat e Serbisë. Presidentja Osmani nuk është person privat, por Presidente e Republikës së Kosovës, e cila, para se të zgjidhej nga Kuvendi, mori bekimin e mbi 300 mijë votave të popullit të Kosovës. Këtë besim e mori sepse mbrojti të vërtetën dhe dinjitetin shtetëror”, ka shkruar këshilltarja e Presidentes.
