Kadri Veseli kthehet sërish në Hagë

Kadri Veseli kthehet sërish në Hagë

Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli është nisur për në Hagë të Holandës pas një vizite të shkurtër te familja e tij në Mitrovicë, si dhe te varri i nënës së tij, e cila vdiq të premten.

Nga Gjykata Speciale dje kanë dhënë detaje për vizitën e Veselit në Kosovë.

“Për shkak të arsyeve detyruese humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake udhëzoi Sekretarin që të menaxhojë një vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë për z. Veseli për ta takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në mbajtje nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, kanë thënë nga Specialja.

Veseli të hënën e vizitoi fillimisht familjen e tij në Mitrovicë, ku para derës së shtëpisë po e priste bashkëshortja dhe fëmijët. Më pas ai shkoi te varrezat e fshatit Broboniq të Mitrovicës ku është varrosur nëna e tij.

Muaj më parë, Veselit iu dha një leje e njëjtë për të ardhur në Kosovë nga paraburgimi i Gjykatës Speciale në Hagë, për shkak të vdekjes së babait.

Veseli dhe ish-krerët tjerë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti i LVV-së Rexhep Selimi u arrestuan në nëntor të vitit 2020 dhe u dërguan në paraburgim në Hagë me një urdhër të Gjykatës Speciale.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Veselin, Thaçin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. / Gazeta Enigma.

Related Articles