KB Peja shënon fitore të madhe ndaj skuadrës holandeze Den Bosch në FIBA Europe Cup

KB Peja shënon fitore të madhe ndaj skuadrës holandeze Den Bosch në FIBA Europe Cup

Skuadra e Pejës e ka shënuar fitoren e parë në FIBA Europe Cup. Të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi”, Peja e mposhti skuadrën holandeze, Heroes Den Bosch me rezultat të lartë, 99:84. Te fitorja, Peja erdhi me kthimin e madh që e bëri në pjesën e dytë. Holandezët e dominuan çerekun e parë, 29:23. Çereku i dytë përfundoi 19:19. Kështu Den Boschi në pushim shkoi me epërsi prej gjashtë pikësh, 48:42.

Kthimi i madh ndodhi në çerekun e tretë, të cilin kampionja Kosovës, Peja, e fitoi 31:16. Dominimi i pejanëve vazhdoi edhe në çerekun e katërt, që përfundoi 26:20. Jay Jay Chandler ka luajtur tjetër ndeshje të madhe për Pejën. Ai realizoi 30 pikë, ndërsa i kishte edhe nëntë kërcime e tetë asistime. Jacob Calloway i kishte 21 pikë e katër kërcime. Tervell Beck realizoi 18 pikë e pesë kërcime.

Ndeshje të madhe luajti edhe Arian Çallakaj. Ai i kishte 15 pikë. Rami Hadar ka aktivizuar tetë lojtarë, ndërsa nuk ka mundur të llogaris në Lis Shoshin e lënduar. Në ndeshjen e parë të Grupit H, Peja kishte humbu 98:72 nga Chemnitzi në Gjermani. Ndeshjen e ardhshme e ka me skuadrën polake Spojnia Stargard. Ndeshja zhvillohet më 1 nëntor në Stargard të Polonisë.

Related Articles