Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar pas publikimit të pamjeve ku thuhej se në Termocentralin Kosova A, ka eksploduar kazani, raporton gazeta Enigma.
Nga KEK kanë thënë se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A.
Sipas tyre, blloku A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve dhe është shkyçur nga puna në mënyrë të rregullt.
Në njoftim thuhet se zjarri ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe se i njëjti është lokalizuar e fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit.
“Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe i njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”, theksojnë nga KEK-u.
Korporata Energjetike e Kosovës i fton të gjitha mediat dhe palët e interesit që në raste të tilla “të kërkojnë informacione zyrtare nga KEK, për të evituar krijimin e panikut përmes lajmeve të pavërteta”. Kjo sipas tyre “është e rëndësishme për të siguruar që opinioni publik të jetë i informuar saktë”.