Imer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë, në Universitetin e Prishtinës ka folur rreth arrestimeve të fundit për subvencione.
Rusinovci vlerëson se këto aktivitete janë të dëmshme për nivelin e brutoprodhimit vendorë në shkallë vendi.
“Ose metodologjia është e gabuar ose personalitetet që duhet me i implementu këto politika bujqësore janë jo shumë të qëlluara. Mendoj se të tilla aktivitete të dëmshme për nivelin e brutoprodhimit vendorë në shkallë vendi janë të dëmshme”, deklaroi Rusinovci.
Ditë më parë 31 persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës të dyshuar për dallavere me subvencionet.
Nga 31 të arrestuarit, 19 prej tyre janë qytetarë, të cilët janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve, ndërkaq 12 zyrtarë nëpër komuna.
Profesori i bujqësisë tutje tha se në sektorin e bujqësisë problemet janë grumbulluara paraprakisht dhe është shumë vështirë që të njëjtat të zgjidhen që të gjitha përnjëherë.
“Konsideroj se në radhë të parë ne jemi shumë të dëmtuar në mos menaxhimin e mirë të tokës bujqësore. Përderisa Kosova përballet me përdhunim, tjetërsim të egër, shkatërrim, tjetërsim nga format më të egra të tokës bujqësore dhe të njëjtën nuk e trajtojmë si aset nacional, përgjegjësia është shumë e madhe posaçërisht për brezat e ardhshëm”, vlerësoi profesori Rusinovci.
Për përmirësimin e situatës, ai tha se duhet të gjenden forma, normalisht që duhet një punë ekipore, një punë kolektive, një punë e terrenit, një monitorim strikt.
Ai vlerësoi se procedurat byrokratike që i aplikojnë në Ministrinë e Bujqësisë në mbledhjen e shumë dokumentacioneve, listave poseduese, kontratave të noterziuzme janë shumë byrokrartike për sektorin e bujqësisë dhe bujku i mirëfilltë shpesh herë mbetet pa aplikuar.
“Prandaj mendoj se në ngasrat që punohet edhe fermeri që punon duhet ta fakton me argumente gjendjen në terren përmes ekipeve monitoruese dhe i njëjti duhet të mbështetet. Në të kundërtën një masë e madhe e fermerëve sigurisht që mbeten të anashkaluar dhe për pasojë importin do ta kemi sërish në rritje”, tha Rusinovci.
Sipas tij, politikat në bujqësi janë shumë relative, ndërrojnë nga çasti në çast, nga momenti në moment, nga periudha në periudhë nga sezona në sezonë, mund të ketë thatësi, invazion të reshjeve, përmbytje, mund të ketë fatkeqësi natyrore.
Ai konsideron se përderisa subvencionet nuk japin rezultat, ato duhet të ndalen ose të ndërrohet metodologjia. Sipas tij do të ishte kogja praktike nëse fondi i parashikuar nga ana e qeverisë për stimulimin e bujqësisë të shndërrohet në kredi agrare e se përgjegjësia e klientit do të ishte dukshëm më e madhe.
“Mundësitë e manipulimit do të ishin shumë më të vogla dhe normalisht që rezultati do të ishte evident dhe do të ishte transparent në terren. Përderisa ne nuk kem rezultate konkrete dhe në anën tjetër i shtojmë fondet për mbështetje ose për subvencione në rastin konkret dhe rezultatet në terren na mungojnë, atëherë diçka duhet të ndryshoj, qoftë në metodologji të punës, qoftë në monitorim, qoftë në formë që duhet ta ndryshojë prej subvencionit të shndërrohet në kredi agrare ose në metodologji të tjera stimuluese që ka të shumta dhe që këtu duhet të punojnë ekipet profesional”, tha Rusinovci.
Sipas tij, në Kosovë “duhet të flet ai që din, e se duhet të punoj ai që është i vyeshëm dhe që tregon rezultate, në të kundërtën keqpërdorimet do të jenë evidente”./Gazeta “Enigma”/