Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss tha se përveç se në Ukrainë, vendi i saj dhe aleatët perëndimor duhet të orientohen edhe në vendet e tjera që ndjehen të rrezikuara, përfshirë Ballkanin Perëndimor.
“Ne duhet të sigurojmë që, krahas Ukrainës, Ballkani Perëndimor dhe vende si Moldavia dhe Gjeorgjia të kenë qëndrueshmërinë dhe aftësitë për të ruajtur sovranitetin dhe lirinë e tyre”, citohet të ketë thënë Truss.
Truss tutje thotë se Mbretëria e Bashkuara duhet të kishte bërë më shume për të penguar pushtimin, por sipas saj nuk do të ndodhë më i njëjti gabim.
“Mbretëria e Bashkuar dërgoi armë dhe stërviti trupat ukrainase shumë kohë përpara fillimit të luftës. Por bota duhet të kishte bërë më shumë për të penguar pushtimin. Nuk do ta bëjmë më kurrë të njëjtin gabim”.
“Disa argumentojnë se nuk duhet të ofrojmë armë të rënda nga frika se mos provokojmë diçka më të keqe. Por mendimi im, është se mosveprimi do të ishte provokimi më i madh. Kjo është një kohë për guxim dhe jo për kujdes”.
Veç këtyre, ajo ka vlerësuar se politika e dyerve të hapura të NATO-s është e shenjtë.
“Nëse Finlanda dhe Suedia zgjedhin të bashkohen si përgjigje ndaj agresionit të Rusisë, ne duhet t’i integrojmë ato sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë më tej Truss.
Këto deklarata të Sekretares britanike vijnë bashkë me ato në të cilat ajo ka kërkuar nga aleatët perëndimorë që të “dyfishojnë” mbështetjen për qeverinë ukrainase dhe t’i sigurojnë Kievit armatimin e rëndë që i nevojitet “për ta larguar Rusinë nga e gjithë Ukraina”.
Sekretarja e Jashtme britanike veçoi gjithashtu Kinën, e cila ka refuzuar të dënojë pushtimin e Ukrainës, ndërsa ka rritur importet nga Rusia.
“… Kina ka nevojë për tregti me G7. Ne përfaqësojmë rreth gjysmën e ekonomisë globale. Dhe ne kemi zgjedhje. “Ne kemi treguar me Rusinë llojin e zgjedhjeve që jemi të përgatitur të bëjmë kur shkelen rregullat ndërkombëtare”.