Kërkohet konsensus për emrin e Presidentit – Zgjedhjet e reja në horizont?

Kërkohet konsensus për emrin e Presidentit – Zgjedhjet e reja në horizont?

Kanë mbetur edhe tetë ditë, deri tek afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes së re të Republikës së Kosovës. Ndonëse pak ditë na ndajnë nga dita “D”, ende nuk dihet kush do të jenë dy kandidatët eventual, teksa emri i Vjosa Osmanit, aktualisht mbetet emri i vetëm në tavolinë, shkruan Gazeta Enigma.

Në kërkim të konsensusit për zgjedhjen e presidentit të ri, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti të dielën takoi kryetarin e partisë më të madhe opozitare, Bedri Hamzën e PDK-së, për të biseduar lidhur me këtë çështje.

Pak detaje u dhanë pas takimit, teksa nga ekzekutivi u shprehën më optimist mbi epologun e takimit, sesa vet Hamza.

“U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, thanë nga Qeveria Kurti lidhur me këtë takim.

Ndërkohë, Hamza duket se nuk i premtoi Kurtit mbështetje për Osmanin, pasi tha se si subjekt politik opozitar, “nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese”.

PDK shumë herë e ka akuzuar Osmanin për anshmëri në vendime, siç është caktimi i 28 dhjetorit për datën e zgjedhjeve.

“Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, u shpreh më tej Hamza.

Ndërkohë për të njëjtin qëllim sikurse Hamzën, Kurti dje takoi edhe të parin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Pas takimit dy orësh, Abdixhiku tha se për çështjen e Presidentit, “dakordimi i përgjithshëm është se ka vetëm dy rrugë – konsensus politik ose një marrëveshje klasike politike mes dy partive”.

“Të dyja rastet na duhen 2/3 e votave. Kemi lënë të takohemi në ditët në vijim për të diskutuar për njërën nga dy mundësitë”, deklaroi Abdixhiku.

Në të njëjtën ditë që Kurti e takoi Hamzën, veturat e tij zyrtare u panë në Prekaz në orët e vona të mbrëmjes. Ky takim ngriti dyshime, pasi ndodhi pikërisht në kohën kur çështja e presidentit është në tavolinë.

“Po, kam qenë mbrëmë te baca Rifat, ku u takuam për festimet e përvjetorit të 18-të. Besuam që do të kemi mundësi të qëndrojmë pak bashkë e të rrimë, sepse s’jemi parë kaherë. Nuk kemi shpesh një mundësi të tillë dhe e kishim lënë të takoheshim. Shkuam atje dhe biseduam për zhvillime politike, për shumë çështje, mirëpo natyrisht që zgjidhja është në mesin e tri subjekteve politike”, tha Kurti, duke e konfirmuar takimin.

Edhe një mandat për Osmanin?

Caktimi i datës së zgjedhjeve më 28 dhjetor – një datë e favorshme për Lëvizjen Vetëvendosje – si dhe përafrimi i deklaratave të Kurtit me Osmanin në muajt e fundit, la të kuptohet se Osmani ka marrë mbështetjen e kryeministrit për një mandat të dytë politik. Për më tepër, Osmani njoftoi se do kandidojë sërish për Presidente, një ditë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kur u konfirmua fitorja e bindshme e LVV-së.

Megjithatë, i pyetur dje nga mediat rreth kandidaturës së Osmanit, Kurti tha se partia e tij nuk ka mbledhur nënshkrime për askënd dhe se do të “ishte e dëmshme” nëse LVV-ja do të dilte me një kandidat, pasi tha se shumica parlamentare ka 66 vota – 14 më pak sa kërkohen për president.

“Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd për shkak se edhe në rast se i mbledhim nënshkrimet, po e theksoj, ne në rastin më të mirë teorik mund të mbërrijmë te numri 66 që është aq larg numrit 80. Prandaj, kot ne mund të nxjerrim kandidat, ndërkohë që dy subjektet tjera thanë se nuk i kemi as 30 për nënshkrime sepse 30 është minimumi për propozimi”, tha Kurti.

“Zgjedhjet e reja do ishin fatale për të gjithë, veçanërisht për opozitën”

Tani që nuk dihet nëse do ketë zgjidhje të suksesshme për Presidentin, janë shtuar zërat për zgjedhje të reja.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë për Gazetën Enigma se nëse vendi shkon edhe njëherë në zgjedhje, kjo do ishte fatale për të gjithë, “veçanërisht për opozitën”.

“Nëse një formalitet kaq teknik e pengon dikë dhe me inate shkojnë prapë në zgjedhje, sikur në vitin e kaluar, zgjedhjet do të jenë fatale për të gjithë, veçanërisht për opozitën”, tha Baraliu.

“Prandaj, edhe po të mos ketë marrëveshje, nuk e di pse duhet të ketë marrëveshje, kur çdo deputet e ka për detyrë me Kushtetutë dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, që t’i ndërtojnë institucionet dhe t’i bëjnë funksionale. Kjo do të thotë se ata duhet të jenë në mbledhje të Kuvendit dhe të votojnë për, kundër apo abstenim. Kjo do jetë e mjaftueshme për ta bërë kuorumin herën e parë dhe herën e dytë, dhe në herën e tretë të votohet me mbi 61 vota”, deklaroi profesori universitar.

Baraliu tha se konsensusi është i domosdoshëm.

“Nuk ka zgjidhje tjetër, sepse asnjë zgjidhje tjetër nuk është e pranueshme për dikë që gjykon dhe kupton në mënyrë racionale, si logjikisht, ashtu edhe politikisht. Pra të merren vesh që ta votojnë Vjosa Osmanin, ose nëse kanë ndonjë kandidat të përbashkët konsensual, pse jo, le ta kenë. Por duhet të ketë marrëveshje dhe nivel të lartë të vetëdijes politike, që ta votojnë kandidatin e shumicës fituese, e cila ka fituar në mënyrë masive. Do të duhej të mos ketë gabime që janë bërë vitin e kaluar, e ku populli ndëshkoi opozitën në zgjedhjet e fundit”, tha në fund profesor Baraliu.

“Emër surprizë”

Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, thotë se kandidatura e Vjosa Osmanit nuk është e sigurt, pasi siç thotë ai, raporti mes Osmanit dhe Kurti “nuk duket më aq organik sa në mandatin e kaluar” dhe se “tani ka sinjale se pozicionet janë më të ftohta dhe se brenda shumicës mund të ketë kalkulime të reja”.

Në një prononcim për Gazetën Enigma, Muhaxheri thotë se në fund mund të jetë një emër që do t’i befasojë të gjithë.

“Sa i përket dy kandidatëve të mundshme, nëse shkohet drejt një formule kompromisi, njëri do të ishte logjikisht Osmani, për shkak të pozitës aktuale dhe profilit ndërkombëtar, ndërsa tjetri mund të jetë një figurë më teknike ose konsensuale – dikush me profil institucional, jo domosdoshmërisht partiak, për të ulur tensionin politik. Nuk përjashtohet as skenari që të dalë një emër surprizë në momentin e fundit, si rezultat i pazareve politike”, deklaroi Muhaxheri.

Ai thotë se takimi i Kurtit me liderët e opozitës është një lëvizje e domosdoshme politike, jo luks.

“Pa opozitën, 2/3 nuk arrihen. Por opozita nuk ka interes t’i japë Kurtit një fitore të lehtë politike, sidomos nëse kandidatura perceptohet si e kontrolluar nga ai. Nga ana tjetër, opozita nuk ka dalë me një emër të fortë alternativ që do ta impononte si zgjidhje konsensuale. Kjo tregon se jemi më shumë në fazë testimi force sesa në fazë marrëveshjeje të sinqertë”.

“Osmani, kandidatja më i thjeshtë”

Nëse kalkulimi është stabilitet institucional dhe shmangie e zgjedhjeve, Muhaxheri thotë se Osmani është opsioni më i thjeshtë numerikisht.

“Nëse kalkulimi është kontroll më i madh politik dhe ripozicionim i fuqisë brenda kampit qeverisës, atëherë mbështetja nuk është e garantuar. Në fund, kjo nuk është vetëm çështje emri, por çështje balance pushteti. Presidenti në Kosovë nuk është figurë ekzekutive, por ka peshë simbolike dhe rol kyç në raportet ndërkombëtare dhe në momentet e krizës institucionale. Prandaj beteja reale është për ndikim afatgjatë, jo vetëm për një mandat formal”, përfundoi Muhaxheri.

Si bëhet procedura për zgjedhjen e Presidentit?

Në raundin e parë dhe të dytë të votimit, të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë, ndërsa në raundin e tretë, të paktën shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë.

Pra, në raundin e parë dhe të dytë duhen të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe që votojnë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë të paktën 61 deputetë.

Raundi i parë dhe i dytë konsiderohen të konsumuar vetëm nëse në sallë janë të pranishëm të paktën 80 deputetë dhe ata votojnë. Në të kundërtën, raundi është i pavlefshëm dhe nuk mund të vazhdohet me raundet e tjera, pasi raundi mbetet i pakonsumuar.

Në mënyrë që raundi i dytë i votimit të jetë i vlefshëm, i njëjti numër, pra të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit, duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, raundi i dytë i votimit do të jetë i pavlefshëm.

Vetëm atëherë kur raundi i parë dhe raundi i dytë janë të vlefshëm, mbahet raundi i tretë. Për të qenë i vlefshëm, raundi i tretë kërkon të paktën praninë dhe votimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Pra, për të kaluar në raundin e tretë, ku kërkohen vetëm 61 deputetë, duhet që më parë të jenë konsumuar në mënyrë të vlefshme dy raundet paraprake. Dhe për t’u konsumuar këto dy raunde, është e domosdoshme që të paktën 80 deputetë të jenë në sallë dhe të votojnë. /GAZETA ENIGMA

Related Articles