Qeverisë së Kosovës po i kërkohet të propozojë alternativa për themelimin e Asociacionit, pas garancisë amerikane se i njëjti do të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Mirëpo, theksohet se çështja e Asociacionit nuk duhet të diskutohet si temë e veçantë, por vetëm në kuadër të marrëveshjes finale.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë për KosovaPress se pas vizitës së këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet janë dhënë garanci për Asociacionin dhe kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani duhet t’i dëgjojnë kërkesat e tij.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës po garantojnë se Asociacioni duhet të formohet, gjithmonë duke qenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe këtë kërkesë duhet ta dëgjojnë kryeministri dhe presidentja e Republikës së Kosovës”, thotë ajo.
Ndërkohë, Arbëresha Loxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se Kosovës tani po i bëhet presion eksplicit nga të gjithë partnerët strategjikë për Asociacionin.
Megjithatë, ajo kërkon kujdes nga ekzekutivi që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe mos të diskutohet si temë e veçantë, por vetëm në kuadër të ujdisë finale.
“Tashmë Kosovës po i bëhet presion nga gjithë partnerët strategjikë që të formohet Asociacioni, po vjen si kërkesë eksplicite. Por çka pash pozitive në mesazhin e zotëri Chollet është se i njëjti duhet të jetë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila nuk është, e di që është bërë kaq deklarative në të kaluarën. Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme nëse do të diskutojë dhe do të fusë në agjendë në dialog çështjen e Asociacionit.
E para që ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës është që asnjëherë mos të lejohet që Asociacioni të diskutohet si një temë e veçantë, por e njëjta kurdo që të diskutohet të jetë në kornizë të marrëveshjes finale. E dyta të jetë parasysh se çka do që çohet tutje karshi Asociacionit të jetë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe natyrisht gjithë përfshirje të akterëve më të rëndësishëm në çfarëdo drafti apo propozimi që Kosova do të dërgojë në Bruksel”, shton ajo.
Ndërkaq, analisti politik, Gazmir Raci, deklaron se palët duhet të insistojnë fillimisht në planin franko-gjerman dhe pastaj të shkohet tek marrëveshjet të tjera, përfshirë Asociacionin, raporton KP.
“Në dakordimin e fundit për targa vitin e kaluar në Bruksel, palët janë pajtuar që krahas diskutimeve për planin franko-gjerman do të angazhohen edhe për finalizimin e të gjitha obligimeve nga dialogu i kaluar. Kështu që rrjedhimisht i bie që edhe Asociacioni do të jetë temë e diskutimit në tryezë, por natyrisht janë edhe pesë marrëveshje të tjera që Serbia ende nuk po i zbaton, në mesin e tyre është edhe marrëveshja për targat, marrëveshja për energjinë, marrëveshja për pikë kalimet e përbashkëta kufitare, marrëveshja e njohjes së diplomave dhe një marrëveshje që shumë e rëndësishme dhe pak flitet për të, e cila është kthimi i dosjeve kadastrale që i ka vjedhur ushtria serbe gjatë luftës”, thekson ai.
Në Kosovë gjatë kësaj jave qëndroi zyrtari i lartë amerikan, Derek Chollet, i cili takoi krerët institucionalë dhe politikë, ku mes tjerash u raportua se Chollet ka nënvizuar nevojën e themelimit të Asociacionit, por gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.