Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj shtatë të pandehurve, shtetas të Turqisë, të dyshuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të substancës narkotike.
Kërkesa e prokurorisë për masën e paraburgimit ndaj të akuzuarve të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, vjen pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datë 23 Shkurt 2022, rreth orës 12:00h në Han të Elezit, të pandehurit duke vepruar si anëtar të grupit pa autorizim kanë transportuar nga Turqia për në Kosovë, substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotik.
Sipas Prokurorisë këto substanca kanë pasur për qëllim shpërndarjen, shitjen ose ofrimin për shitje, në atë mënyrë që me rastin e ndaljes dhe kontrollit të automjetit transportues.
I pandehuri L.T., pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës “Magnum”, me pesë fishekë, e të cilat me rastin e kontrollit nga ana e policisë i gjendet dhe sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”.
Ndërsa, i pandehuri tjetër O.V., pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës “Walther”, që me rastin e kontrollit nga ana e policisë i gjendet dhe sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.
Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast do të mbahet nesër pasdite në Gjykatën Themelore ne Ferizaj. /Gazeta Enigma/.