Sot këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), Derek Chollet, është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, njofton Gazeta Enigma.
Chollet vjen në Kosovë e Serbi pas tensioneve të fundit në veri dhe në kulmin e përpjekjeve që janë duke bërë SHBA dhe BE për të arritur një marrëveshje mes dy vendeve mbi bazën e planit franko-gjerman.
Chollet zhvilloi takime të ndara me dyer të mbyllura me krerët e shtetit. Së pari këshilltari amerikan u takua me presidenten Osmani, ku menjëher pas saj u prit në takim nga kryeministri Kurti.
DASh, ka njoftuar se Chollet do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.
Presidentja Osmani pas takimit me këshilltarin Chollet, përmes një postimi në Twitter bëri të ditur se për çfarë diskutuan, shkruan GazetaEnigma.
“E lumtur që mirëprita një delegacion të nivelit të lartë nga Qeveria e SHBA-së, të udhëhequr nga Këshilltari i DASH-it, Derek Chollet. Diskutuam zhvillimet e fundit në rajonin tonë dhe theksuan rëndësinë kryesore të rritjes së angazhimit të ShBA-së”, tha Osmani.
“Ne mbetemi të përkushtuar për forcimin e aleancës së hekurt Kosovë-ShBA”, përfundoi ajo.
Delighted to welcome a high-level delegation from the U.S. Government, led by @CounselorDOS Chollet.
Discussed recent developments in our region & emphasized the paramount importance of increased U.S. engagement.
We remain committed to strengthening the ????????-???????? ironclad alliance. pic.twitter.com/QOnFaLSGit— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) January 11, 2023
Ai gjithashtu është takuar edhe edhe me tre liderët e opozitës në Ambasadën Amerikane.
Chollet, takimin me opozitën e zhvilloi i shoqëruar nga Emisari Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Ambsasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
Lidhur me vizitën e tij ka reaguar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ku Chollet do të qëndrojë në Beograd më 12 janar.
Bërnabiq tha se premtimi i ShBA-së se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të nisë në janar, pritet të jetë “në tavolinën” e bisedimeve.
“Kjo do të ishte shumë mirë, do të ishte zbatim i Marrëveshjes së Brukselit”, deklaroi ajo.
Ndërkohë që nga takimi i Kurtit me Chollet, Zyra e Kryeministrit ka publikuar pamje pa zë.
Ndryshe, marrëveshja për themelimin e Asociacionit është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel. Më pas, më 2015, është arritur marrëveshja mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.
Në janar, në Kosovë dhe Serbi po ashtu pritet të qëndrojnë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ata pritet të shoqërohen nga të dërguarit e presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Emmanuel Bonne dhe Jens Pletner./GazetaEnigma/