Një vajzë rreth moshës 20-vjeçare është dërguar pa shenja jete në Qendren Emergjente në Ferizaj, raporton Gazeta Enigma.
Vdekjen e viktimës e kanë konstatuar mjekët në spital.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Enigma, zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se viktima është dërguar në spital nga disa persona të cilët pastaj janë larguar.
“Rreth orës 15:08 e kemi pranuar informatën se një vajzë rreth moshës 20 vjeçare është dërguar pa shenja jete në Qendren Emergjente. Vdekjen e viktimës e kanë konstatuar mjekët. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po i zhvillon hetimet”, tha Veseli.
Njëherit, Kryeprokurori i Ferizajt, Shukir Jashari, ka treguar se fotografitë e të dyshuarve që e dërguan një 20 vjecare pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt janë shpërndarë nëpër pikat kufitare dhe nëpër drejtoritë e Policisë së Kosovës.
“Fotografitë e të dyshuarve janë nxjerrë prej kamerave të sigurisë të spitalit, ende nuk dihet kush janë ata persona, mirëpo fotografitë e tyre janë nxjerrë dhe janë shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe të gjitha drejtoritë të policisë së Kosovës”.
Po ashtu, mësohet se vetura me të cilën u dërgua viktima në spital është “Audi A8” me ngjyrë të zezë dhe ka targa të Zvicrës./Gazeta Enigma/