Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e grabitjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri.
Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.
Kështu e pësuan edhe disa të rinj në Mitrovicë, të cilët dyshohen se kryen grabitje.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për
- Engjëll Voca 22-vjeçar
- Erion Brahimi 19-vjeçar
- Erdin Hasani 21-vjeçar
- Egzon Salihu 23-vjeçar
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, me ç’rast në lokacionin e Vocës dhe Hasanit është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Të dyshuarit janë intervistuar në stacion policor dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Grabitje’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.