Këto janë vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë

Këto janë vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë

Sot është mbajtur mbledhja e 132 e Qeverisë, ku u morën një varg vendimesh, shkruan Gazeta Enigma.

Në këto mbledhje u morën disa vendime si, zgjatja e afatit edhe për dy vjet të aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, u mor vendim për rregullimin e çmimit të barnave , të hapet konkurs ndërkombëtar për kompleksin “Adem Jashari” etj.

Mes tjerash u zgjodh edhe drejtori i ri i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirë se po takohemi në këtë mbledhje të rëndësishme, ditë të shënuar, javë historike.

Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, të të gjitha grave, nderojmë sukseset, që ato i kanë arritur historikisht. Sot e çdo ditë nderojmë kontributin e grave, që nuk janë më dhe luftojmë bashkë me gratë dhe vajzat për më shumë të drejta e barazi.

Qeverisja jonë mbetet e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale, që e lehtësojnë barrën e padrejtësive, që gratë mbajnë mbi supet e tyre.

Vazhdojmë përpjekjet dhe betejën për barazi shoqërore, për barazi gjinore.

Prej shtëpisë e deri te institucionet le ta bëjmë Kosovën më të barabartë.

Gëzuar 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Grave!

Sot nderojmë e kujtojmë edhe kontributin e grave në luftën çlirimtare dhe përgjatë gjithë historisë sonë. Nuk harrojmë dhimbjen e madhe, që nuk kalon dhe një plagë të madhe, që shteti e ka obligim që ta shërojë.

Po e vazhdojmë procesin e aplikimit për njohje të statusit të të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, një proces i rëndësishëm për historinë dhe shtetin tonë dhe një prej parakushteve të ndërtimit të paqes së qëndrueshme në vend.

Nderojmë rolin e pazëvendësueshëm të të mbijetuarave, të cilat kanë folur publikisht për rastet e tyre, e veçanërisht Vasfije Krasniqi Goodman, që vazhdon të jetë avokuese e zëshme në vendin tonë dhe ndërkombëtarisht.

Më 5, 6 dhe 7 mars, së bashku përkujtuam Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmin lartësues të Familjes Jashari.

Dje, në ditën e tretë të Epopesë së UÇK-së, në Ditën e Mësuesit, e kujtuam Shaban Jasharin edhe si mësues.

7 Marsi, kjo datë shprehje e dijes, e dashurisë për atdheun dhe për historinë, për shkencën dhe për artin.

Dija kryesore e mësuesit është të zgjojë pasionin te nxënësi dhe me këtë motiv ne urojmë mësuesve misionin e tyre të përkryer. Ushtria e dijes dhe ushtria e mbrojtjes, këto janë dy momentet e vetëdijes gjithë njerëzore e mbarëkombëtare.

Lavdi mësuesve dëshmorë, që na trashëguan përmes sakrificës, shkollën, vendin më sublim, ku themelohet ndërgjegjja e një jete të tërë!

Në përmbyllje të 25-vjetorit të Epopesë, sot në mbledhjen e 132-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që në pikën e parë të rendit të ditës, do të kemi para vetes vendimin për aprovimin e kushteve për Shpalljen e Procedurës së Prokurimit për Projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Si Qeveri e kemi trajtuar me prioritet të lartë dhe kujdes të veçantë Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Që prej themelimit të Komitetit Ndërministror në 2021, vetëm një muaj pas formimit të Qeverisë pra, kemi ecur me hapa të sigurt drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit për Kompleksin Memorial.

Vitin e kaluar jemi kujdesur që të konsolidohet gjendja fizike e ndërtesave në këtë Kompleks e falë ndërhyrjeve emergjente, gjendja e sigurisë së ndërtesave të rrezikuara brenda kompleksit është përmirësuar.

Kompleksi Memorial është pasqyrë e jona, pasqyrë në të cilën e shohim veten tonë, përmes së cilës na shohin të tjerët, aty e gjejmë lavdinë e djeshme, forcën për nesër.

Me këtë projekt do të jetësojmë vizionin e përbashkët të përfaqësimit të drejtë e të duhur të historisë heroike, sakrificës së papërsëritshme dhe kontributin e pashoq të Familjes Jashari për çlirimin e vendit tonë.

Të dashur qytetarë,

Të nderuar kolegë të Qeverisë

Në këtë në mbledhje të sotme, do të kemi edhe një projektligj të rëndësishëm nga Ministria e Shëndetësisë për sigurimin e barnave me kosto te përballueshme për qytetarët tanë.

Sepse, barnat përveçse duhet të jenë të disponueshme, duhet të jenë edhe të përballueshme. Nuk mjafton që ato të jenë në raftet e barnatoreve, nëse nuk janë në sirtarët e shtëpive tona. Nuk mjafton që t’i ketë farmacisti, nëse nuk i ka pacienti. Na duhen të dyja, pa kursyer shëndetin dhe duke kursyer xhepin.

Ju faleminderit!

Related Articles