KFOR-i për dronët Bayraktar: Kemi autoritetin parësor për hapësirë ajrore

KFOR-i për dronët Bayraktar: Kemi autoritetin parësor për hapësirë ajrore

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, derisa është deklaruar për përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve, përfshirë Bayraktar TB-2, që Kosova së fundmi i ka blerë nga Turqia, ka njoftuar se në përputhje me Rezolutën 1244, KFOR-i ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovë.

Nëpërmjet një komunikate të lëshuar të hënën, një ditë pasi kryeministri Albin Kurti njoftoi për blerjen e këtyre dronëve, KFOR-i ka njoftuar se hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale, ndërsa hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it.

“Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhet në njoftim.

Ky mision më tej ka kujtuar se e mbështetë zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, duke përfshirë operacionet e mbrojtjes civile, si shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme.

Dronët Bayraktar TB2 i janë shtuar arsenalit luftarak të Forcës së Sigurisë, të cilët Kosova i ka blerë në Turqi.

Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar të dielën në Facebook fotografi të dronëve, që sipas burimeve të KOHËS kanë mbërritur në Kosovë gjatë muajit maj.

Burimet thanë se deri tash kanë ardhur 6 fluturake të tilla, të kontraktuara vitin e shkuar, e njëkohësisht janë trajnuar oficerë të FSK-së për t’i përdorur nga distanca. Sipas burimeve, 20 oficerë të tjerë ndodhen në trajnim në Turqi, dhe deri në fundvit do t’i shtohen kontingjentit ekzistues që ndodhet në FSK.

Related Articles