KFOR: Situata e sigurisë e qetë por e brishtë, posaçërisht në veri

KFOR: Situata e sigurisë e qetë por e brishtë, posaçërisht në veri

Zyrtarë të KFOR-it e kanë përshkuar si të qetë, por të brishtë situatën e sigurisë në vend, posaçërisht në veriun e populluar kryesisht me serbë. Veç patrullimeve të pavarura, ata thanë se janë duke kryer patrullime të përbashkëta me Policinë e Kosovës, si dhe patrullime paralele me forcat e armatosura serbe përgjatë vijës kufitare, në funksion të garantimit të sigurisë

Patrullime në formate të ndryshme është duke realizuar KFOR-i në të gjitha pjesët e Kosovës, kanë konfirmuar zyrtarë të kësaj force përmes një zëdhënësi. Tek kanë treguar se patrullimet mbështeten në mandatin që u buron prej OKB-së, zyrtarë të KFOR-it thanë se situata vazhdon të jetë e brishtë, posaçërisht në veriun e populluar kryesisht me serbë.

Veç në veri, KFOR-i përmes komunikatave të ndryshme javët e fundit ka njoftuar për patrullimet e bëra edhe në qytete të tjera. 

“Ne e zbatojmë mandatin tonë të OKB-së në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, përmes aktiviteteve të ndryshme. Këto përfshijnë patrulla të rregullta, të cilat kryhen në formate të ndryshme, si patrullimet e pavarura të KFOR-it në të gjithë Kosovën dhe përgjatë vijës kufitare administrative, patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe patrulla të sinkronizuara, paralele me forcat e armatosura serbe në anët përkatëse të vijës kufitare administrative”, kanë thënë nga Zyra për informim e KFOR-it përmes një përgjigjeje me shkrim. 

Në komunikatat e publikuara së fundi, u tha se pjesëtarë të KFOR-it kanë kryer patrullime përgjatë vijës administrative të kufirit në Prishtinë dhe Istog, në funksion në konsolidimit të stabilitetit rajonal.  
Në KFOR kanë shtuar se, këto patrullime si dhe angazhimet me të gjitha komunitetet lokale – përfaqësojnë një demonstrim konkret dhe të prekshëm të përkushtimit afatgjatë dhe të palëkundur të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe për stabilitet të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën. Ne kemi një prezencë të dukshme, fleksibile dhe të përshtatshme, që na mundëson të trajtojmë çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë në mënyrë efektive, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në përgjigje.

Të pyetur për situatën e sigurisë pas paralajmërimeve të Qeverisë për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, në KFOR thanë se situata është e qetë, por e brishtë.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por ajo mbetet e brishtë, veçanërisht në veri të Kosovës. Ne po monitorojmë nga afër zhvillimet dhe mbajmë një prani të dukshme dhe të përshtatshme përmes patrullimeve të rregullta dhe angazhimeve me komunitetet lokale”, thuhet tutje në përgjigje. 

Në KFOR shtuan se vijojnë të operojnë në Kosovë si reagues i tretë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

“Ne vijojmë të përmbushim mandatin tonë të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të kontribuuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt, për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i operon si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë reaguesi i parë dhe i dytë, respektivisht”, kanë deklaruar në KFOR.

Tek kanë folur për mundësinë e rritjes së prezencës me trupa shtesë, në KFOR u shprehën se misioni aktual përbëhet nga rreth 4600 trupa nga 28 vende kontribuuese, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s.

“Ne kemi një prezencë të dukshme, fleksibile dhe të përshtatshme që na lejon të trajtojmë në mënyrë efektive çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, kanë deklaruar në KFOR.

Kjo forcë ashtu sikurse pjesa diplomatike e komunitetit ndërkombëtar i ka bërë thirrje Qeverisë që në rrethanat aktuale të mos e hapë për Urën për qarkullimin e automjeteve. Madje zyrtarë të saj e kanë përsëritur disa herë se janë të gatshëm të ballafaqohen me këdo që cenon situatën e sigurisë në vend. 

Ura mbi lumin Ibër, apo siç e kishin pagëzuar ushtarët e KFOR-it francez, “Austerlitz”, si sinonim i betejës së përgjakshme të para 219 vjetëve kundër austro-rusëve, vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve. 
Historikisht ura ka qenë burim tensionesh e konfliktesh. Në shtator të vitit 2009 ishte rihapur pjesërisht për qarkullim, por e përforcuar me forca policore vendëse e ndërkombëtare. Por Ura u betonua me rërë e gurë nga banorët lokalë serbë në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës zyrtare për të vendosur autoritetin në veri të vendit dhe për të marrë nën kontroll pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak. Një polic i Njësisë Speciale të Kosovës ishte vrarë në këtë aksion.

Pas largimit të gurëve e rërës, në veri serbët ndërtuan një të ashtuquajtur “Park i paqes”. Ky park, që zëvendësoi barrikadën, e la të lirë urën vetëm për disa orë. Por me marrëveshje tjetër, palët u dakorduan që barrikada park të largohet dhe rivitalizimin e Urës ta bëjë Bashkimi Evropian.
Ndërtimi i një muri të lartë dy metra e gjysmë brenda javës kishte kthyer tensionet përreth. Pengesa u vendos në mes të rrugës nga Komuna e Veriut, por më pas u rrënua ai. Ndodhi kjo në shkurt të vitit 2016 pas marrëveshjes shumëpalëshe mes Qeverisë së Kosovës, Komunës së Mitrovicës së Veriut, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Paralelisht rinisi punimet BE-ja për rivitalizimin e urës dhe qeverisja lokale e veriut punimet për kthimin në shëtitore të rrugës “Mbreti Pjetër”. 

Megjithëse janë kryer punimet prej vitesh në të dyja anët, Bashkimi Evropian e ka përsëritur disa herë se vendimi për hapjen e Urës duhet të merret brenda dialogut të Brukselit. 

NATO është shprehur e zhgënjyer edhe nga aksionet e autoriteteve të Kosovës në veri, kundër strukturave paralele serbe. Policia e Kosovës para disa ditësh mbylli strukturat paralele serbe në katër komunat në veri. Reagimi ishte i menjëhershëm nga partnerët ndërkombëtarë, që e cilësuan të njëanshëm dhe të pakoordinuar veprimin e Kosovës.

Related Articles