Resmije Sadiku
“Kisha ëndrra të tmerrshme, të cilat pastaj më ndiqnin edhe në kohën kur isha i zgjuar”, – kështu e përshkruan rrëfimin më të rëndë të jetës së tij, Nol Sahatçiu, i mbijetuar i vetëvrasjes.
Në një rrëfim për Gazetën “Enigma” Shatçiu ka treguar përvojën e tij, ku në moshën 20 vjeçe jeta e tij mori një kthesë të pakapërcyeshme për dikë, por të kalueshme nga ai. Në atë kohë ai pati filluar ta humbte lidhjen me realitetin…
“…erdhi dita kur zërat më thanë të hidhem nga kati i tretë i shtëpisë…vetëm kjo do të shpëtoj” – ishte mesazhi i fundit që iu shfaq në kokë kur përfundimisht e hapa dritaren dhe u gjuajta.
Por…këtu nuk përfundoj gjithçka.
“U zgjova në spital, me dhimbje të tmerrshme, duke mos kuptuar se çfarë kishte ndodhë, por vetëm duke shikuar doktorë duke më lëvizë nga njeri repart i spitalit në tjetrin (gjithsej pata pesë operime në këmbë, duar dhe hundë). Por, kryesorja, isha në jetë” tha Sahatçiu.
“Shpresa ime u rikthye pasi që u forcova mjaftueshëm fizikisht dhe mentalisht ku mund ta mendoja një të ardhme të lumtur e të gjatë”.
Sahatçiu ka dhënë një mesazh për të gjithë ata që ndodhen në një kthesë të tillë se “jeta e secilit është e pazëvendësueshme dhe me vlerë tejet të madhe. Nuk ka persona të pavlerë dhe çdo person mund ta rikthej jetën e tij/saj në një parajsë në tokë, me mund dhe vullnet, por edhe me ndihmë nga të tjerët. Mos hiqni dorë nga jeta, sepse pas çdo stuhie del dielli. Kërkohet vetëm pak durim, shpresë dhe guxim”.
Më poshtë mund ta lexoni rrëfimin e plotë nga i mbijetuari i vetëvrasjes Nol Sahatçiu
Gazeta Enigma: A mund ta ndani me ne përvojën tuaj?
Për me tregu saktë përvojën time, duhet me u kthye pak ne kohë. Unë tash jam 34 vjeçar, ndërsa tregimin e kisha filluar kur kam qenë rreth 20 vjet.
Në atë kohë isha duke studiua në Bullgari dhe ishte kohë e artë e socializimit për mua, për shkak se në shkollë të mesme nuk kisha pas shumë mundësi për me dalë apo me shkua në ndeja, për shkak se isha pak më i mbyllur si person dhe nuk isha masur me u socializu mjaftueshëm.
E në fakultet fillova me shiju jetën e natës. Me konsumua alkoool, cigare, me ndëgju muzikë elektronike, me flirtua dhe pastaj me pasë përvoja seksuale për herë të parë. Të gjitha këto ishin relativisht pa probleme, pasi që isha i moderum në konsumim të alkoolit, cigares dhe kisha marrëdhënie të sigurta seksuale. Por, rreth vitit të dytë në fakultet, e provova për herë të parë barin (kanabisin). Kisha shumë frikë për shkak të indoktrinimit famijar i cili më kishte mësuar që drogat janë absolutisht gjana të këqija, me efekte të tmerrshme dhe që konsumimi i tyre do të më shndërronte automatikisht në person të keq.
Por, kur e tymosa për herë të parë një joint (cigare me kanabis) e pashë që kjo më bëri të ndihem mirë, edhe pse ishte prapëseprapë e frikshme si përvojë. Por, dalë nga dale filloj të më ndërroj mendimi për drogën si send vetëm i keq dhe pas një kohe mu ofrua mundësia për me provua edhe droga tjera.
Kështu me radhë fillova të konsumoj edhe droga më të rënda, si kokaina…Prapë, edhe me këto, hera e parë ka qenë shumë e frikshme, për shkak se nuk e dija se çfarë efekti kanë me pasë në mu, mirëpo, edhe duke shikuar që shokët e shoqet u kënaqshin dhe nuk kishin përvoja negative, fillova edhe ti mendoj drogat si vetëm të mira.
Por, natyrisht, as kjo nuk ishte e vërtetë.
Kështu, unë e kreva fakultetin dhe u ktheva në vendlindje. Aty fillova të punoj, të kisha pavarësi financiare dhe të shoqërohem me persona tjerë profesionist të ri, por që gjithashtu konsumonin drogë, por ja dilnin që ta balanconin jetën e ditës me atë të natës. Kështu me vite unë vazhdova të konsumoj, kryesisht kanabis, por me raste edhe substanca tjera.
Mirëpo, pas një kohe, efektet negative filluan të dalin në pah. Gjendja ime mendore filloj të përkeqësohej dhe fillova ta humb lidhjen me realitetin. Kisha ëndrra të tmerrshme, të cilat pastaj më ndiqnin edhe në kohën kur isha i zgjuar. Fillova të shoh simbole religjioze, edhe pozitive (drita, shpirta, engjuj, etj), por edhe SHUMË negative (zëra demonik, vizione të ferrit) të cilat brenda një kohe të shkurtë mua më shtynë drejt mendimeve për vetëvrasje. Në ditët e fundit para se të tentoj të vetëvritem, unë isha në gjendje psikotike. Me fjalë tjera e kisha humb thuajse komplet lidhjen me realitetin. Dëgjova tërë ditën zëra të cilat më thonin se çfarë të bëj: Ha bukë, shko në xhami, foli këtij personi në rrugë, zhvishu, vishu, vrapo, ndalo, flejë, zgjohu. Këto zëra ma udhëhiqnin jetën, për shkak se unë besoja se nëse nuk i dëgjoj, do të më ndodhte diçka e tmerrshme.
Më në fund, erdhi dita kur zërat më thanë të hidhem nga kati i tretë i shtëpisë. “Vetëm kjo do të shpëtoj” ishte mesazhi i fundit të cilin ma thanë kur përfundimisht e hapa dritaren dhe u gjuajta.
Por, këtu nuk përfundoj gjithçka.
U zgjova në spital, me dhimbje të tmerrshme, duke mos kuptua se çfarë kishte ndodhë, por vetëm duke shikua doktorë duke më lëvizë nga njeri repart i spitalit në tjetrin (gjithsej pata pesë operime në këmbë, duar dhe hundë). Por, kryesorja, isha në jetë.
Pas një muaji në spital. Më transferuan në shtëpi nën mbikëqyrjen e prindërve. Aty u forcova fizikisht, por mentalisht ende isha shumë i brishtë.
Prindërit e mi eventualisht më treguan për bashkësinë “Cenacolo”, e cila ndihmon personat me varësi të tejkalojnë varësinë dhe të rikthehen në shoqëri pa atë problem. Kjo për mu ishte shpëtim, për shkak se kisha nevojë për ndërrim radikal të mënyrës së jetesës, por edhe të ambientit të Kosovës, i cili ishte shndërrua në një skëterrë për mua.
Kështu qëndrova gjithsej njëmbëdhjetë muaj në një fshat-qytezë në Kroaci të quajtur Vrbovec.
Aty u mësova të zhvilloj një jetë të thjeshtë (por jo të lehtë), duke punuar nga ora 6 e mëngjesit, deri në 6 pasdite, me pauza të shkurta në mes për të socializuar dhe për të ngrënë ushqim.
Aty mësova modestinë dhe kënaqësinë për të ndihmuar tjerët. Normalisht, pasi që ata më ndihmuan fillimisht mua. Mësova gjuhën italiane dhe deri diku edhe atë kroate, dhe bëra shokë të rinj (shtëpitë në bashkësinë janë të ndara me gjini). U forcova edhe më tej fizikisht, për shkak se të gjitha punët që i bënim ishin plotësisht fizike. Aty këtu nevojitet edhe ndonjë punë e vogël intelektuale, por kryesisht ishin punë të fshatit: mbjellja e pemëve/perimeve, prerja e drunjtëve dhe barit përreth shtëpisë, pastrimi i shtëpisë, mjelja e lopëve, puna me qeramikë, zdrukthëtari dhe pak edhe me metal, etj. Isha i lumtur, por pas njëmbëdhjetë muajve vendosa të rikthehem në shtëpi.
Nga aty, u ribashkova me të dashurën të cilën e kisha pasë para së të shkoja në Kroaci; gjeta punë të re; ju ndihmoja familjes; dhe në përgjithësi isha i vendosur të bëhem anëtar produktiv i shoqërisë, dhe normalisht ti rija substancave narkotike sa më larg që është e mundur.
Mund të them që këtë e kam bërë me sukses tash shtatë vite dhe që jam i bindur që do ta bëj edhe më tej deri në fund të jetës time.
Gazeta Enigma: Çka ju riktheu shpresën për jetë?
Shpresa ime u rikthye pasi që u forcova mjaftueshëm fizikisht dhe mentalisht ku mund ta mendoja një të ardhme të lumtur e të gjatë. Para se të shkoja në bashkësi unë ende kisha mendime të errëta dhe nuk e dija se çfarë do të ndodhë me mua. Pas qëndrimit në Kroaci, u riktheva me një forcë shumë më të madhe mendore dhe shpirtërore, e cila më shtynë edhe sot.
Gazeta Enigma: A kanë mjaftueshëm përkrahje personat që gjenden në gjendje depresive nga shoqëria kosovare? Po nga autoritetet institucionale?
Mendoj që në Kosovë nuk ka përkrahje të mjaftueshme për personat në gjendje depresive dhe me mendime për vetëvrasje. Fatkeqësisht ende kemi stigmë dhe nuk është temë të cilën lehtë e flasim me njëri tjetrin. Në plot raste familja dhe ndihma e profesionistëve psikiatrik është e vetmja zgjidhje për këta persona. Por ka edhe plot raste (si edhe rasti im) kur familja as që janë të vetëdijshëm që fëmija i tyre ka probleme të shëndetit mendor, apo që ka fillua me mendua seriozisht vetëvrasjen si zgjidhje nga problemet e tyre. Gjithashtu ka edhe plot profesionist të shëndetit mendor të cilët ose nuk janë mjaftueshëm të aftë për ti trajtuar këta persona, apo ndodh që edhe ata vet ti gjykojnë. Kjo është e tmerrshme dhe duhet te luftohen si fenomen aktivisht.
Ndërsa sa i përket autoriteteve institucionale, ligjet dhe iniciativat për parandalim të vetëvrasjes janë joekzistente. E vetmja ndihmë që ofrohet në formën e një linje telefonike për parandalim të vetëvrasjes (Linja e Jetës) ekziston falë iniciativës dhe punës së palodhshme të OJQ-së QIPS (Qendra për Informim dhe përmirësim social). Përveç kësaj iniciative qytetare, asnjë iniciativë institucionale nuk ekziston në Kosovë për personat me mendime për vetëvrasje.
Gazeta Enigma: Si mendoni se duhet të sillen shoqëria me ta?
Me respektin më të madh që ekziston. Duke i trajtuar si persona të arsyeshëm dhe me probleme që mund ti zgjidhin po që se i ofrohet ndihma e duhur.
Gazeta Enigma: Cilat janë arsyet kryesore pse gjithë ata që gjendjen në gjendje depresive, të mundohen ta rifillojnë jetën sërish?
Sepse jeta është pafundësisht e bukur dhe se vetëvrasja nuk është asnjëherë zgjidhje.
Gazeta Enigma: Cili është mesazhi i juaj për personat që mund të jenë duke e menduar vetëvrasjen?
Problemet qe mund të duken të pakalueshme në shumicën e rasteve kanë zgjidhje, edhe pse mund të duket se nuk ka në momente të errësirës shpirtërore. I ftoj që ta marrin guximin të tregojnë për problemet (te gjitha, edhe ato më të rëndat apo më personalet) me personat të cilat ata ndihen rahat dhe që të kërkojnë ndihmë edhe kur kjo duket e vështirë.
Jeta e secilit është e pazëvendësueshme dhe me vlerë tejet të madhe. Nuk ka persona të pavlerë dhe çdo person mund ta rikthej jetën e tij/saj në një parajsë në tokë, me mund dhe vullnet, por edhe me ndihmë nga të tjerët. Mos hiqni dorë nga jeta, sepse pas çdo stuhie del dielli. Kërkohet vetëm pak durim, shpresë dhe guxim.
Teksti ka qëllim sensibilizimin me të mbijetuarit e vetëvrasjeve, për nderë të 10 shtatorit, e cila njihet si Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve. /Gazeta Enigma/