Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia, ka thënë se përkrahja e Qeverisë për të qeverisur me kryeqytetin është një shancë unike për Prishtinën.
Ai tha se programi i hartuar nga ekipi i tij është në linjë me secilën minsitri përkatëse.
“Unë jam aktivist i Vetëvendosjes dhe kam mbështetjen e tyre gjë që është e natyrshme. Fillimisht kam përkrahje nga aktivistët, pastaj nga Qeveria dhe kryeministri. Kur është bërë programi është bërë me secilin ministri të linjës. Kurti qëndron prapa meje jo vetëm si aktivist i Vetëvendosjes, por mbi të gjitha bashkë në vizionin tonë për Prishtinën. Kemi në plan mbi 150 milionë euro vetëm në eliminimin e kaosit të trafikut me rrugë të reja që janë bërë në relacion me Qeverinë, sepse komuna e Prishtinës s’i ka të gjitha fondet dhe nevojitet një koordinim i jashtëzakonshëm me Qeverinë dhe këtë përkrahje dhe vizion, i cili është i përbashkët natyrisht si Lëvizje Vetëvendosje ku kryeministri Kurti dhe gjithë Qeveria do të rrinë prapa”.
Vitia tha se duhet të votohet edhe pse është nga Lëvizja Vetëvendosje, duke u shprehur se ndjehet krenar për këtë.
“Atë që kam arritur ta bëj si drejtor i Shëndetësisë, por edhe si ministër duke reformuar gjithë sistemin shëndëtësor në komunën e Prishtinës nuk do ta kisha mundur ta bëj në një parti tjetër. Me përkrahjen e Kurtit dhe Qeverisë dhe aktivistëve janë arritur të gjitha këto rezultate. E njëjta do të bëhet edhe me komunën e Prishtinës ku nuk kemi më kohë për të humbur dhe debate politike dhe polarizime të panevojshme”.
Vitia tha se në këtë drejtim i kupton “thumbimet” e kundërkandidatit të tij Përparim Rama, por tha se dëshmi për këtë është se për 20 vjet polarizimet e panevojshme të subjekteve politike që kanë udhëhequr në Prishtinë në raport me Qeverinë janë shfrytëzuar për të bërë opozitë ndaj saj ose janë shfrytëzuar për të arsyetuar mospunën.
Rama në Rubikon ka pyetur Vitinë se çka do të bëjë nëse bie Qeveria Kurti.
“Qeveria Kurti ka fituar 50.28 për qind të votave dhe është një shancë unike që njëherë të gjitha planet e mia dhe vizioni im bashkë – një plan konkret dhe i realizueshëm bashkë me Qeverinë – që Qeveria dhe niveli lokal të jenë nga i njëjti subjekt që kanë një vizion i përbashkët ku s’do të ketë problem për të ngadalësuar projektet”.