Këtë të mërkurë do të mbahet seanca ndaj Faton Klinakut në Gjykatën Themelore të Prishtinës për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, raporton Gazeta “Enigma”.
Seanca do të mbahet nga ora 09:00, ndërsa i pranishëm duhet të jetë edhe Kurti për deklarim.
Klinaku, së bashku me një person tjetër me inicialet N.S., akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për kanosje ndaj Kurtit përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023.
Përmes një postimi në Facebook ka njoftuar per seancën e sotme.
“Shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë është caktuar të mbahet më 3 shtator 2025, në ora 09:00. Ta shohim nëse Albin Kurti do t’i përgjigjet ftesës si i dëmtuar-dëshmitar i Prokurorisë,” ka shkruar Klinaku.
Klinaku kishte deklaruar në fillim të gushtit se as ai dhe as avokati i tij nuk ishin njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, por kishte shtuar se “mezi pret” të ballafaqohet me Kurtin në gjykatë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar aktakuzën ndaj dy personave të cilët dyshohen se kanë kanosur kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas aktakuzës, më 30 gusht 2023, Klinaku akuzohet se ka ripostuar një mesazh me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit, ku thuhej:
“… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”