Një letër publike e publicistit Baton Haxhiu në lidhje me menaxhmentin e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe klubeve kosovare ka ngjallur reagime të shumta në opinionin sportiv dhe vetë klubeve, shkruan Gazeta Enigma.
Haxhiu nisi debatin në emisionin “Dueli Sportiv” në Radio Televizionin Dukagjini duke i quajtur klubet ‘servile’ dhe të manipuluara nga Agim Ademi, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kundërpërgjigja e klubeve ka qenë e menjëhershme, teksa përmes faqeve zyrtare në rrjetet sociale kanë reaguar në lidhje me këto deklarata dhe letrën publike të Haxhiut drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe UEFA-së.
Kampioni në fuqi FC Ballkani ishte klubi i parë që reagoi në llogaritë sociale, teksa më pas u ndjek nga shumica e klubeve kosovar nga të cilat spikatën klubet elitare, në përjashtim të FC Prishtina dhe FC Drita që nuk reaguan fare.
Përveç klubeve edhe Lidhjet Rajonale të Futbollit dhe Liga e Veteranëve kanë reaguar duke i quajtur të pavërteta pretendimet e Haxhiut.
Për sulmet e shumta dhe akuzat në emisionet sportive kishte reaguar edhe vetë kreu i FFK-së, Agim Ademi, i cili iu drejtua AGK-së për të bërë thirrje ndaljen e gjuhës degraduese.
Ademi edhe njëherë mori një mbështetje të fuqishme nga klubet kosovar edhe pse jo në kohë zgjedhje, ndoshta për të dëshmuar se ai është zgjidhja më e mirë e mundshme për të qeverisur me futbollin kosovar.