Klubi i veçantë i karatesë me reprezentues të Kosovës e Shqipërisë

Klubi i veçantë i karatesë me reprezentues të Kosovës e Shqipërisë

Në një hapësirë të vogël në Pallatin e Sportit dhe Rinisë në Prishtinë i kryen stërvitjet klubi i karatesë “Ippon”. Aty janë të vendosur dy flamuj, flamuri i Kosovës dhe flamuri kombëtar.

Kjo në fakt tregon mënyrën se si funksionon “Ipponi”, klubi i bashkuar me karateistë që përfaqësojnë Kosovën e Shqipërinë.

Rreth dhjetë karateistët seniorë të këtij klubi janë të ndarë sa i përket përfaqësimit të shteteve, por më të bashkuar se kurrë kur përgatiten për ngjarje të mëdha.

“Gjithçka është vëllazërore mes nesh”, thotë karateisti Orges Arifi, që është edhe trajner aktualisht në klubin e suksesshëm të karatesë.

“Shqipërinë nga ky klub e përfaqësojmë unë, Alvin Karaqi dhe Blodin Pakashtica. Ndërsa për Kosovën kemi shumë garues, është Ylli Cenaj, Argjend Bajrami, Elmedina Istogu dhe shumë të tjerë. Ne stërvitemi gjithë së bashku. Na ndodh që edhe në arenën ndërkombëtare kur ka përballje Kosovë – Shqipëri të përballemi mes vete. Mirëpo gjithçka është vëllazërore mes nesh. Këtu i kryejmë stërvitjet dhe ndihmojmë njëri-tjetrin që të shkojmë sa më lart”, ka vazhduar Arifi.

Orges Arifi po e kryen edhe rolin e trajnerit pas tërheqjes së trajneres Shqipe Zogiani.

Ai ka treguar se puna si trajner është përgjegjësi më vete, por thotë se në këtë rol është vetëm përkohësisht. Vlerëson se ka ende për të dhënë si garues.

“Tash më ka mbetur mua ta ushtroj rolin e trajnerit. Alvini nuk është këtu, është në Zvicër. Kështu që po e luaj edhe rolin e trajnerit, sidomos me gjeneratat e reja. Megjithatë, synimet më të mëdha i kam si garues edhe për disa vjet”, vazhdon Arifi, që është 27-vjeçar.

Arifi në të kaluarën kishte garuar për Kosovën, por që nga janari i vitit 2020 kishte vendosur që ta përfaqësonte Shqipërinë për herë të dytë.

Nga Përfaqësuesja e Kosovës ishte larguar bashkë me dy karateistë të tjerë. Të tre akuzuan Federatën e Karatesë së Kosovës për trajtim jo të mirë.

Orges Arifi në të kaluarën është përballur me lëndime të shumta. Thotë se i ka kaluar tashmë dhe është gati për ngjarjet e mëdha. Karateistët këtë vit do të kenë gara në Kampionatin Evropian, Lojëra Evropiane dhe në fund në Kampionat Botëror.

“Javën tjetër e kam një garë shumë të rëndësishme, Premier Ligën në Egjipt, ku marrin pjesë vetëm 32 garuesit më të mirë të botës. Jam duke u përgatitur për këtë garë dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë. Kjo garë do të jetë shumë e fortë pasi këtu marrin pjesë vetëm garuesit më të mirë të botës. Mirëpo në çdo garë unë shkoj për medalje. Në këtë garë shumë e rëndësishme është edhe marrja e pikëve. Këto pikë të dërgojnë në Lojërat Evropiane që mbahen në Poloni”, thotë Arifi, që ka medalje në garat e nivelit të Premier Ligës, por edhe me grupmoshën U21. Ai shton se i mungon një medalje evropiane apo botërore në kategorinë e seniorëve, të cilën synon ta fitojë në këtë vit.

Arifi është i vetmi garues i Shqipërisë në kategorinë deri në 60 kilogramë që do të marrë pjesë në garën në Egjipt.

Elmedina Istogu është karateiste e klubit “Ippon” që e përfaqëson Kosovën. Istogu është 20-vjeçare, ndërsa ka rreshtuar disa suksese në nivelin e të rejave. Ajo garon në kategorinë mbi 68 kilogramë.

“Përgatitjet fatmirësisht i bëjmë shumë të mira, pasi jam në një prej klubeve më të mira në historinë e karatesë së Kosovës. Gjithashtu kolegët e mi janë prej garuesve më të mirë në Kosovë dhe në garat jashtë vendit. Përgatitjet janë shumë të mira. Vitin 2023 e kam filluar me garën në Athinë të Greqisë, Serie A. Pas tri javësh do të vazhdoj në Kampionatin Evropian që do të mbahet në Qipro. Është shumë i rëndësishëm për mua pasi që është edhe Kampionati Evropian i fundit, sepse në nëntor vazhdoj me 21-vjeçaret, ku do të jem vetëm seniore pastaj”, thotë Istogu.

Elmedina Istogu ka thënë se viti 2022 ka qenë prej më të suksesshmeve në karrierën e saj. Ishte renditur në vendin e shtatë në Kampionatin Botëror në Turqi, ndërsa aktualisht ndodhet në top dhjetëshen e karateisteve më të mira në U21, në kategorinë e saj. Ishte e dyta në Grand Prix të Kroacisë, ndërsa në Evropianin që u mbajt në Çeki fitoi tri luftëra dhe u ndal në çerekfinale.

Sivjet shpreson në medalje në Kampionatin Evropian të Qipros, që mbahet në fillim të muajit shkurt.

Related Articles