Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar për dy rastet e rënda të dhunës ndaj grave, njëri në Graçanicë që përfundoi me fatalitet dhe tjetri ditën e djeshme në Fushë-Kosovë që rezultoi me plagosje.
Përmes një komunikate për media KMDLNJ thotë se kohë më parë, një burrë në Graçanicë dhunoi brutalisht gruan e tij, e cila nuk mundi t’i bëjë ballë dhunës dhe ndërroi jetë.
“Raporti i Policisë së Kosovës thotë se burri dhunues, kur e privoi nga jeta dhunshëm gruan, ishte i dehur. Duket se ky nuk ishte rasti i parë që burri përdori forcë fizike dhe psikike ndaj gruas, mirëpo KMDLNJ nuk ka të dhëna nëse ndaj burrit ishin ndërmarrë masa parandaluese apo ligjore për dhunën e ushtruar në familje. Viktima femër ishte e nacionalitetit serb sikur që ishte edhe dhunuesi. Para dy ditëve në fshatin Bresje, Fushë-Kosovë, A. K. plagosi gruan e tij e që nuk ishte rasti i parë që kishte ushtruar dhunë. A. K. ishte recidivist i shumëfisht dhe i ndaluar nga policia për dhunë në familje. Dy ditë para ditës kritike atij i ishte ngritur aktakuza për dhunë në familje, por se kjo nuk i pengoi ta plagosë gruan”, thuhet në komunikatë.
KMDLNJ ka dënuar dukurinë e dhunës në familje dhe dhunën ndaj femrës, e që sipas këtij këshilli ka marrë përmasa shqetësuese.
“Rasti i Graçanicës duhet të hetohet nëse janë marrë masa mbrojtëse për viktimën dhe pas kësaj, në përputhje me përgjegjësinë e dëshmuar, duhen të merren masa që parashihen me ligjet në fuqi. Në rastin e Bresjes qartazi bëhet fjalë për dështim të institucioneve për ta parandaluar krimin aq më parë që kemi të bëjmë me një recidivist të shumfishtë prandaj, me një koordinim të institucioneve përkatëse, rasti mund të evitohej”, thuhet tutje në komunikatë.
Në zinxhirin e hallkave të përgjegjësisë për dhunën në familje dhe dhunën kundër femrave, sipas KMDLNj-së, hallka e parë dhe kryesorja janë qendrat për punë sociale, prandaj hetimi duhet të bëhet aty.
KMDLNj, gjithashtu, beson se shumë raste të dhunës në familje dhe dhunës kundër femrës, për arsye objektive apo subjektive, nuk raportohen, prandaj inkurajon viktimat që t’i raportojnë rastet në mënyrë që mbrojtja të jetë më e zbatueshme dhe më efikase.
Sipas KMLDNJ-së edhe hallkat elektronike duhet të vendosen sa më parë, si mjet dhe mundësi për parandalim të dhunës në familje dhe dhunës ndaj femrave.