KMDLNj reagon për arrestimet nga Serbia: Arbnor Spahiu të trajtohet me të drejtat që i takojnë

KMDLNj reagon për arrestimet nga Serbia: Arbnor Spahiu të trajtohet me të drejtat që i takojnë

Kohëve të fundit, Serbia ka shpeshtuar arrestimin e qytetarëve të Kosovës me arsyetim se kanë qenë pjesë e UÇK-së. Gjithashtu, edhe në Maqedoni të Veriut po arrestohen shqiptarët që janë vënë në listën e Interpolit, me kërkesë të Serbisë. Pastaj po hiqen të zitë e ullirit për të pamundësuar ekstradimin e tyre në Serbi.

Kështu është shprehur Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj).

Ky këshill përmendi rastin e fundit të Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, i cili është arrestuar tre ditë më parë në Serbi në ndërkohë që gjykata përkatëse ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Nga burime të paverifikuara, KMDLNj thotë se ai është marrë në pyetje për rastin në Banjskë të Zveçanit kur pati një sulm paramilitar ndaj Policisë së Kosovës.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut sërish u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që ta shmangin kalimin nëpër territor të Serbisë për të shkuar në vendet e tjera.

“Autoritetet serbe kanë bërë arrestime të përzgjedhura duke e përshtatur me dinamikën e arrestimeve të serbëve në Kosovë. Këto arrestime tashmë po shndërrohen në një ping – pong politik ku më së paku bëhen përpjekje për të siguruar drejtësi për viktima dhe përgjegjësi për ata që janë pjesë e zinxhirit të përgjegjësisë për krime”, tha KMDLNj.

Ky këshill thotë se për shkak të mungesës së bashkëpunimit midis Kosovës dhe Serbisë në fushën e drejtësisë, “nuk ka shumë mundësi të sigurohemi se ndaj të arrestuarve në Serbi, qytetarë të Kosovës,  respektohen të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria, sipas standardeve ndërkombëtare”.

KMDLNj thotë se ka propozuar që të bëhet një marrëveshje mbështetur në vullnet të mirë e që iu lejohet monitorimi i papenguar personave të privuar nga liria në Kosovë dhe Serbi.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut tha se pret që Arbnor Spahiu do të trajtohet në përputhje me të drejtat që i takojnë, se do të ketë vizita të lejuara, mbrojtje dhe mbrojtës për të cilin vet ai përcaktohet dhe se rasti i tij nuk do të politizohet.

“Vetëm pasi të arrestuarit në Serbi, shtetas të Kosovës janë liruar, KMDLNj ka siguruar prova se ndaj tyre trajtimi policor dhe gjatë mbajtjes ka qenë korrekt”.

Related Articles