Koeficienti “sekret” i ekzekutivit kritikohet nga opozita, rrezikon të dërgohet në Kushtetuese

Koeficienti “sekret” i ekzekutivit kritikohet nga opozita, rrezikon të dërgohet në Kushtetuese

Ndonëse kanë kaluar 2 javë prej kur presidentja Vjosa Osmani dekretoi Ligjin e Pagave, pavarësisht zhurmës e debatit publik, vlera e koeficientit me të cilin do paguhen zyrtarët publik, mbetet ‘sekrete’, shkruan Gazeta “Enigma”.

Më 22 dhjetor 2022, Ligji ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik, por aty nuk cekej vlera e koeficientit.

Edhe pse nga ekzekutivi kanë theksuar se vlera e koeficientit do bëhet e ditur së shpejti, deputet nga blloku opozitar e kanë kundërshtuar ashpër një gjë të tillë.

Ndërkohë Qeveria deklaroi se vlera financiare e koeficientit pritet të caktohet brenda muajit janar.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”, ka thënë Përparim Kryeziu.

Kryeziu ka bërë të ditur se janë ndarë 745 milionë euro nga buxheti i 2023-së për pagat e sektorit publik.

“Me Ligjin për Buxhetin e vitit 2023, që u miratua në dhjetor të vitit që lamë pas, kemi caktuar se totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro”, ka theksuar ai.

Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar me ish-ministrin e Infrastruktures dhe njëherit deputet në Kuvendin e Kosovës, Pal Lekaj. Lekaj njoftoi për qëndrimin e AAK-së pro Ligjit të Pagave dhe vlerës së Koeficientit prej 129 euro.

Deputet i AAK-së, Pal Lekaj

Lekaj tregoi qëndrimin e AAK-së pro Ligjit të Pagave dhe vlerës së koeficientit prej 129 euro, gjë që sipas tij vonesa e Ligjit të Pagave ishte tendecioze nga Qeveria e Kurtit.

“Ne si AAK në vazhdimiësi kemi qenë zë i fuqishëm i Ligjit të Pagave dhe i vlerës së Koeficientit 129euro. Fatkeqësisht Ligji i Pagave u vonua në kohë me tendencë nga Qeveria Kurti. Kjo i kushtoi shumë vendit pasi humbën shumë profesionistët shëndetësor, policët, mësimdhënësit, ushtarët, gjyqtarët, zyrtarër shtetëror dhe të gjithë ata që preken nga ky ligj. Qeveria nuk u ndalë me kaq, dhe vazhdon ta mbajë sekret vlerën e koeficientit të Pagave, duke i lënë në huti dhe mjegull të gjithë. Kjo është prapë tendencioze pasi pushteti po kalkulon politikisht me këtë vlerë”, u shpreh Lekaj për Enigmën.

Ish-ministri theksoi se vlera prej 129 eurosh e arsyeton punën dhe gjendjen ekonomike të Kosovës dhe në rast se nuk do të jetë aq, AAK do ta dërgojë në Kushtetuese.

“Vlera 129 euro është vlerë që arsyeton punën që bëhet dhe gjendjen socio-ekonomike të shtetit tonë, duke u bazuar gjithashtu edhe në rritjen ekonomike të shtetit. Nëse nuk do të jetë vlera 129euro, do të jenë mundësit e hapura që ne si Grup Parlamentar ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese këtë ligj. Kuptohet që këtë vendim do ta marrim edhe me një kosnsultim dhe dakordim paraprak me të gjitha Sindikatat që lidhen dirket me ligjin e Pagave”, përfunodi Lekaj.

Ndërkohë politologu Fidan Ukaj për Gazetën Engima, deklaroi se akoma nuk e kanë të qartë se sa mund të jetë koeficienti i pagave dhe se kjo tregon mos-sinqeritet nga ana e Qeverisë.

Politolog, Fidan Ukaj

“Pas kalimit në dy lexime në Kuvend dhe shpalljes në gazetën zyrtare të Ligjit të Pagave në sektorin publik, ne akoma sot nuk e kemi të qartë se sa mund të jetë koeficienti i pagave dhe kjo tregon mos-sinqeritet të Qeverisë dhe mundësi të rrëzimit të këtij Ligji nga Gjykata Kushtetuese”, theksoi Ukaj.

Koeficienti më i lartë, pra 18 i takon vetëm presidentit të Kosovës, niveli 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, deri sa koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit dhe shefit të Qeverisë.

Ndryshim të pagave do të ketë për mjekët specialistë, mësimdhënësit dhe policët.

Për mjekët specialistë, koeficienti do të jetë 12, ndërkaq, për mësimdhënës në shkolla fillore dhe ato të mesme koeficienti është 5.6, përkatësisht 5.8.

Me Ligjin e ri, koeficienti për policët është 5./GAZETAENIGMA/

Related Articles