Kolaps në sektorin publik nga marsi, nëse bllokada e Kuvendit vazhdon

Kolaps në sektorin publik nga marsi, nëse bllokada e Kuvendit vazhdon

Pa institucione plotësisht funksionale, me Qeveri dhe ministra në detyrë, Kosova po përballet pothuajse që një vit, shkruan Gazeta Enigma.

E kjo situatë nuk po kalon pa pasoja, të cilat pritet të ndihen edhe më shumë nga muaji mars, kur punëtorët e sektorit publik mund të mbesin pa paga.

Në vitin 2025, vendi ka shkuar dy herë në zgjedhje qendrore: më 9 shkurt janë mbajtur zgjedhjet e rregullta dhe më pas, më 28 dhjetor, janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Por tani jemi në vitin 2026, në muajin shkurt, dhe ende nuk kanë përfunduar procedurat zgjedhore, pasi u zbulua skandali me vjedhjen e votave, gjë që po e zvarrit procesin edhe më tej, shkruan Gazeta Enigma.

Nëse bllokada vazhdon dhe deri në mars nuk formohet Qeveria e re që ta miratojë buxhetin për këtë vit, atëherë vendi nuk do të ketë buxhet dhe, në këtë rast, i gjithë sistemi publik do të pësojë kolaps financiar.

“Më shumë se 80 mijë qytetarë rrezikojnë të mbesin pa paga”

Juristi Anton Nrecaj tha se buxheti nuk është çështje politike, por ligjore dhe kushtetuese për funksionimin e shtetit.

“Buxheti aprovohet në Kuvend. Në Kuvend nuk duhet të ketë lojëra politike me buxhetin, sepse automatikisht po e shkatërrojnë Kosovën. Me votën e qytetarëve, përmes përfaqësuesve të tyre në Kuvend, po e shkatërrojnë vendin. Me mosvotimin e buxhetit, më shumë se 80 mijë zyrtarë publikë rrezikojnë të mbesin pa paga. Buxheti nuk është çështje politike, por çështje emergjente, ligjore dhe kushtetuese për funksionimin e shtetit”, tha ai. “Do të ishte absurde të mendohej ‘çka nëse nuk aprovohet buxheti’”, u shpreh Nrecaj për Enigmën.

Sipas tij, Kuvendi duhet ta miratojë sa më shpejt buxhetin, sepse nuk ka kohë që projektbuxheti të dorëzohet në Kuvend dhe, pas një kohe, të rishqyrtohet e të përmirësohet, pasi kjo çështje është urgjente dhe duhet të trajtohet si e tillë.

“Normalisht, nevoja është emergjente. Buxheti duhet të aprovohet si i tillë dhe më vonë të thirren seanca për ta rishqyrtuar. Diku nga muaji qershor ka mundësi që Kuvendi të mblidhet sërish dhe të diskutohet çështja e buxhetit për secilën linjë buxhetore. Është e pamundur që Qeveria të mos konstituohet, sepse numrat i kanë”, tha ai.

Sipas tij, Qeveria e re, në plan të parë pas buxhetit, duhet t’i ketë edhe marrëveshjet ndërkombëtare nga të cilat përfiton Kosova një shumë të konsiderueshme prej rreth një miliard euro.

“Pra, këto janë çështje emergjente në të cilat duhet punuar sa më shpejt”, përfundoi Nrecaj për Enigmën.

“Sot, liderët politikë tallen me shtetin e Kosovës”

Ndërkohë, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, deklaroi se sjelljet e subjekteve politike tregojnë më së miri se sa “e duan” interesin e shtetit dhe ekonominë e vendit.

“Kjo sjellje e subjekteve politike është e papranueshme dhe është treguesi më i mirë se sa e duan interesin e shtetit dhe të ekonomisë. Pra, nëse nuk u realizohen ambiciet e tyre të sëmura politike, janë në gjendje të falimentojnë një shtet të tërë, duke ditur që rrugëtimi i Kosovës si shtet ka sakrifikuar shumë gjenerata që ne sot ta gëzojmë këtë shtet, e sot liderët politikë tallen me ne”, tha ai.

Tutje, eksperti ritheksoi nevojën që partitë politike të tejkalojnë inatet dhe të mundohen të dalin nga kriza politike që i kanë shkaktuar Kosovës.

“Nëse, në mënyrë hipotetike, ndodh që të mos kemi Qeveri deri në fund të marsit, Kosova do të përjetojë një bllokadë politike dhe juridike, e cila do të ndikojë në ekonomi duke e vënë në pikëpyetje vetë shtetin”, shtoi ai.

“Për të dalë nga kjo krizë politike, vlerësoj se duhet të rritet presioni i qytetarëve ndaj subjekteve politike, që të tejkalojnë inatet dhe ambiciet e tyre dhe të jenë në shërbim të shtetit dhe ekonomisë”, tha Kadriaj për Enigmën.

“Nëse buxheti i ri nuk miratohet me kohë, Kosova do të hyjë në një zonë të rrezikshme”

Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, paralajmëron se pa buxhet të miratuar, shteti do të paralizohet.

“Nëse buxheti i ri nuk miratohet me kohë, Kosova mund të funksionojë me buxhetin e vitit paraprak vetëm përkohësisht dhe praktikisht vetëm deri në mars. Pas kësaj periudhe, hapësira ligjore dhe financiare ngushtohet ndjeshëm”, tha ai.

“Kjo do të thotë se shteti hyn në një zonë të rrezikshme, ku pagesat, kontratat dhe funksionimi normal i institucioneve nuk janë më të garantuara”, shtoi ai.

Në rast se vonesa në formimin e Qeverisë shoqërohet me mosmiratimin e buxhetit, rreziku, sipas analistit, nuk është teorik, por real.

“Pa buxhet të miratuar, shteti paralizohet: ndalen investimet publike, bllokohen projektet kapitale, krijohen vonesa në pagesa dhe humbet besueshmëria ndaj partnerëve financiarë dhe investitorëve. Ky është një mekanizëm klasik i degradimit institucional”, deklaroi Muhaxheri për Enigmën.

Muhaxheri thotë se Kosova pritet të përballet me kolaps funksional të shtetit nëse nuk dilet nga situata aktuale.

“Prandaj, nëse kjo situatë vazhdon, Kosova mund të përballet me kolaps funksional të shtetit – jo domosdoshmërisht me falimentim brenda natës, por me një shpërbërje graduale të kapaciteteve shtetërore. Kriza politike e zgjatur, e kombinuar me mungesën e buxhetit, është një recetë e qartë për destabilizim ekonomik dhe institucional. Kjo nuk është më çështje debati politik, por përgjegjësi shtetërore”, përfundoi Muhaxheri për Enigmën. /Gazeta Enigma/

Related Articles