Komandanti i njësitit “Kobra”: S’kemi qenë në Kosovë, por nëse marrim urdhër do ta zbatojmë

Komandanti i njësitit “Kobra”: S’kemi qenë në Kosovë, por nëse marrim urdhër do ta zbatojmë

Komandanti i njësitit special të Policisë Ushtarake të Serbisë, që njihet si “Kobra”, ka thënë se pjesëtarët e njësitit të tij nuk janë futur në territorin e Kosovës.

Komandanti serb Darko Gjoshiq i është përgjigjur akuzave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Kurti tha se pjesëtarët e njësitit “Kobra” dhe ata të njësitit special të Policisë së Serbisë, janë futur në territorin e Kosovës javën e kaluar dhe kanë rrëmbyer tre policë kosovarë në Leposaviq.

Policëve kosovarë u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

“Njësiti ‘Kobra’ i Ushtrisë së Serbisë nuk ka qenë i angazhuar në rajonin e Kosovës e M. dhe kur me urdhër të kryekomandantit Aleksandar Vuçiq angazhohemi dhe kur e marrim atë urdhër, atëherë do ta zbatojmë plotësisht”, ka thënë Gjoshiq për “Tanjug”.

Kurti ka akuzuar Serbinë për agresion dhe kidnapim të tre policëve kosovarë. Ndërsa Serbia ka thënë se tre policët janë futur brenda territorit të saj.

Shtetet e QUINT-it kanë bërë thirrje për lirimin e policëve, ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell ka paralajmëruar takim mes Kurtit e Vuçiqit këtë javë në Bruksel.

Kurti e Vuçiq ende nuk i janë përgjigjur kësaj ftese për takim.

Related Articles