Kryeministri Albin Kurti sot ka shkuar në Presidencën boshnjake, ku është pritur në një takim nga anëtari i saj, Zhelko Komshiq.
Komshiq, sipas njoftimit për media nga kabineti i tij, ka falënderuar kryeministrin Kurti për vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, duke theksuar se e vlerëson një veprim “kaq të jashtëzakonshëm të njëanshëm dhe rrjedhimisht të pazakontë” të kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës.
“Kjo lëvizje sigurisht që do të kontribuojë në një lidhje më të mirë mes qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e tregtisë së ndërsjellë”, citohet të ketë thënë Komshiq.
Anëtari i presidencës boshnjake me këtë rast iu referua kritikave lidhur me vizitën e Kurtit dhe takimet që ai do të ketë në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat vijnë nga entiteti i Republika Sërpskas në Bosnje e Hercegovinë dhe rajoni, duke kujtuar se “RS nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe se RS nuk është kompetente për të lëshuar viza për hyrje në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe se anëtarët e Presidencës së BeH sigurisht që nuk do të pyesin as Dodikun e as dikë tjetër se me kë do të takohen dhe çfarë do të diskutojnë”.
“Ne i perceptojmë kritikat që vijnë nga vendet e rajonit si një tjetër dëshmi e qartë e përpjekjeve për të mohuar sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe presion mbi organet dhe institucionet sovrane të BeH-së në drejtimin e politikës së jashtme”, tha Komshiq.
Me këtë rast, dyshja diskutuan për proceset e përgjithshme politike dhe sociale në rajon.