Të reshurat e shiut dhe breshërit gjatë javës së kaluar e që po vazhdojnë edhe sot, kanë shkaktuar disa dëme nëpër tokat bujqësore në Ferizaj, shkruan Gazeta Enigma.
Lidhur me këtë çështje, Gazeta Enigma ka kontaktuar me Drejtorin e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj, Burim Bajramin, i cili tha se Komisioni i Drejtorisë së Bujqësisë ka pranuar kërkesat e para të bujqëve të Ferizajt, për dëmet e shkaktuara.
“Në Komunën e Ferizajt ditëve të fundit jemi përballur me stuhi dhe me breshër në disa fshatra të Komunës sonë. Komisioni i Drejtorisë së Bujqësisë ka pranuar kërkesat e para të bujqëve të Ferizajt dhe vazhdon të jetë në teren për evidentim të këtyre dëmeve të shkaktuara nga breshëri (jo nga vërshimet)”, tha Bajrami në përgjigjen e dhënë për Gazetën Enigma.
Ndërkohë, sa i përket përpjekjeve për të minuar dëmet e shkaktuara nga breshëri, Bajrami tha se si Drejtori janë duke realizuar projektin për Hapjen e Kanaleve Kulluese të tokave bujqësore.
“Ky projekt e ka minimizuar problematikën e vërshimeve në disa fshatra të Komunës sonë”, tha ai.
Tutje, Drejtori i Bujqësisë në Ferizaj tha se Komisioni do të ju përgjigjet kërkesave të bujqëve dhe “Drejtoria e Bujqësisë do ti shoh mundësitë buxhetore pas raporteve të pranuara nga tereni që të ju dal në ndihmë bujqve të dëmtuar”.
Reshjet e mëdha pritet të vazhdojnë
Të reshura të mëdha të shiut janë paralajmëruar edhe për sot nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, duke bërë thirrje që të shmangen shëtitjet ose punët në pyje.
IHMK po ashtu ka kërkuar kujdes nga barinjtë të cilët ruajnë kopetë në viset e larta malore.
“Ashtu siç ju kemi informuar në parashikimin javor se dita e martë do të ketë reshje, po ju kujtojmë sërish se sot gjatë ditës parashihen ndryshime të mëdha në troposferë. Vranësira konvektive të fuqishme do të përfshijnë territorin tonë, duke krijuar vështirësi. Këshillohet që gjatë këtyre kushteve të rënda meteorologjike të mos krijojmë kaos , sidomos në komunikacion, të ju shmangim shëtitjeve ose punëve të natyrës së ndryshme në pyje, sepse ky mot parashihet të shoqërohet me stuhi, rrufe e në vende të kufizuara do të ketë kushte edhe për reshje, breshëri dhe erëra të fuqishme. Kujdes të kenë barinjtë të cilët i ruajnë delet në vise të larta , sepse rrufeja i godet në tufë , për shkak të disa faktorëve specifik, përçueshmërisë së lartë dhe afërsisë së tyre, sepse kur rrufeja godet tokën e gjithë ajo energji përhapet nëpër tokë në një perimeter të gjerë”, thuhet në komunikatën e Institutit.
Gazeta Enigma ka dërguar pyetje edhe drejt komunave tjera në lidhje me vërshimet dhe dëmet e shkaktuara, por të njëjtit nuk janë përgjigjur. /Gazeta Enigma