Komuna e Prishtinës do të dorëzojë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të premten, lidhur me buxhetin e kryeqytetit, raporton Gazeta Enigma.
“Ju njoftojmë se nesër, më 05 shtator 2025, në ora 10:00, Kryetari i Kryeqytetit, z. Përparim Rama, do të dorëzojë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, para objektit të Gjykatës Kushtetuese, Kryetari Rama së bashku me Nënkryetarin e Kryeqytetit, z. Shkëmb Manaj, do të mbajnë një konferencë për media”, u theksua në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Në fillim të korrikut, kryetari Rama pati akuzuar Qeverinë se po bllokon qëllimshëm kryeqytetin. Ai pati thënë se ndalesa është e jashtëligjshme dhe e motivuar politikisht. Rama pati publikuar edhe një letër drejtuar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati. Aty Rama pati thënë se problemi financiar i kryeqytetit është pasojë e mosfunksionalizimit të institucioneve qendrore, që nuk kanë bërë ndryshimet në Ligjin për Buxhetin 2025. Në letër, Rama kishte shkruar po ashtu se Ministria s’po ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje. / Gazeta Enigma.