Ministria e Drejtësisë ka përgatitur draftin e konceptit dokumentit për zhvillimin e procesit të vetting në sistemin e drejtësisë. Ky dokument, që ishte ndër premtimet kryesore të VV-së gjatë fushatës së fundit, përkufizon problemet kryesorë në sistemin e drejtësisë, sqaron konceptin e vetingut dhe praktikat ndërkombëtare mbi këtë proces, liston objektivat dhe ofron opsionet e rrugës përpara drejt vetingut.
Koncept dokumenti, që është në konsultime publike deri më 19 gusht, ka për prioritet strategjik përmirësimin e integritetit të institucioneve të drejtësisë përmes vetingut dhe zhvillimin e kornizës ligjore për fillimin e këtij procesi në sektorin e drejtësisë.
Procesi i vetingut, sipas koncept dokumentit, është paraparë të përfshijë gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës në të tri nivelet e saj. Por vetingu nuk do të analizojë integritetin e gjyqtarëve të Kushtetueses, sepse “sistemi i rotacionit të mandateve” konfirmon se në këtë gjykatë ka ripërtëritje të përbërjes.
Ndërkaq objektiva kryesore e vetingut është përmirësimi i sistemit të drejtësisë.
“Objektivi strategjik i kësaj politike është përmirësimi i integritetit të institucioneve të drejtësisë dhe rritja e besimit qytetar në drejtësi, përmes vetingut dhe mekanizmave tjerë, që rrjedhin nga Programi i Qeverisë 2021-2025, siç përshkruhen në figurën si më poshtë. Vetingu do të jetë instrument kyç për verifikimin e integritetit, profesionalizmit dhe kontrollin e pasurisë të subjekteve të vetingut”, thuhet në dokument.
Nevoja e vetingut, sipas koncept dokumentit të hartuar nga Qeveria Kurti, vjen si pasojë që legjislacioni që rregullon sistemin e drejtësisë dështon të ofrojë zgjidhje për të siguruar anëtarë me integritet të lartë në sistemi ne drejtësisë.
“Korniza ligjore ekzistuese nuk flet për një mekanizëm adekuat të verifikimit të përsëritur apo vazhdeushëm të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. E meta më e madhe qëndron në faktin se vlerësimi i integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë karrierës së rregullt të tyre aktualisht ezaurohet në kuadër të vlerësimit periodik të performancës, si një segment që vlerësohet numerikisht, me ç’rast kalkulohet kumulativisht me segmentet e tjera gjegjëse për të matur performancën”, thuhet në dokument, përcjellë Reporteri.net.
Koncept dokumenti vlerëson se ka mangësi në përcaktimin ligjor të mekanizmave që bëjnë vlerësimin e integritetit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë. Po ashtu, vlerësohet se ka mangësi ligjore edhe sa i përket suspendimit të gjyqtari apo prokurorit për shkelje të rëndë disiplinore dhe zbatim jo adekuat të legjislacionit në fuqi.
Të gjitha këto, sipas koncept dokumentit, kanë rënduar gjendjen e gjyqësorit e prokurorisë së shtetit dhe për rrjedhojë është humbur besimi në institucionet e drejtësisë, e të cilat kanë pasur një numër efektesh negative në shoqërinë kosovare.
Ministria e Drejtësisë thotë se për hartimin e koncept dokumentit për veting janë konsultuar standardet relevante ndërkombëtare dhe instrumentet e ndryshme multilaterale e rajonale si Karta e Kombeve të Bashkuara, Deklarata Universale për të drejtat e njeriut, Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut etj.
Pas analizimit të instrumenteve ndërkombëtare përkitazi me sistemin e drejtësisë, koncept dokumenti liston një sërë kriteresh të cilat duhet të merren parasysh gjatë implementimit të procesit të vetingut.
“Kriteret e propozuara të vetingut: 1. Integriteti individual (sjellja profesionale, rregullsia financiare, lidhjet me organizata të kundërligjshme); 2. Cilësitë individuale (shtetësia, mosha minimale, niveli i edukimit, kualifikimet profesionale, kompetenca dhe përvoja, mirëqenie fizike dhe mendore); 3. Kriteret procedurale (pajtueshmëria (bashkëpunimi) me procesin e vetingut, plotësimi i formularëve dhe deklaratave, dorëzimi i dokumenteve të kërkuara, paraqitja në datën dhe kohën e caktuar”, thuhet në dokument.
Tutje koncept dokumenti ka analizuar disa praktika të shteteve të rajonit gjatë procesit të vetingut përfshirë përvojën me veting në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Moldavi, Ukrainë, Armeni, Poloni dhe Kenia.
Në kapitullin “opsionet’, grupi punues i koncept dokumentit ka listuar 5 opsione të mundshme rreth procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë, të cilat mëpastaj janë shpjeguar në hapa dhe ndikimet që do të mund të kenë në këtë sektor të rëndësishëm.
Krahas kësaj, koncept dokumenti ofron një krahasim ndërmjet opsioneve të parapara nga ana e grupit punues.
“Opsioni 1 – pa asnjë ndryshim i cili parasheh ruajtjen e status quo;
Opsioni 2 – përmirësimi i zbatimit dhe ekzekutimit pa ndryshime ligjor i cili shtynë përpara idenë se gjendja aktuale mund të ndryshohet mjaftueshëm vetëm me implementim më të mirë të kornizës ekzistuese ligjore;
Opsioni 3 – zhvillimi i vetingut përmes ndryshimeve ligjore, kjo qoftë me ligje të reja apo amendamentim të atyre ekzistuese;
Opsioni 4 – zhvillimi i vetingu ad hoc dhe pastaj vlerësimit të vazhdueshëm të performancës, integritetit dhe pasurisë nga një mekanizëm i jashtëm përmes ndryshimeve kushtetuese, dhe
Opsioni 5 – Zbatimi i procesit të vetingut me ndryshime kushtetuese që mundëson valën e parë të vetingut nga një trup ad-hoc dhe më pas vijimin e vlerësimit të vazhdueshëm të performancës, integritetit dhe pasurisë nga KGjK dhe KPK”, thuhet në dokument.
Grupi punues ofron rekomandime ku theksohet se duhet të ruhet pavarësia e gjyqësorit ashtu që të gjitha institucionet shtetërore të përbahen nga veprime që cenojnë pavarësinë e saj dhe se duhet të ketë rishikim funksional të ligjeve që rregullojnë sektorin e drejtësisë, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
Ndërkaq të gjeturat kryesore janë se mungojnë mekanizmat e vazhdueshëm për të përcjellë punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe se duhet të zbatohet vetingu në përputhje me standardet më të mira.