Konjufca pranoi raportin njëvjeçar të Institutit të Krimeve nga shteti serb në Kosovë

Konjufca pranoi raportin njëvjeçar të Institutit të Krimeve nga shteti serb në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pranuar raportin njëvjeçar të punës së Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, nga Drejtori Ekzekutiv i institutit, Atdhe Hetemi.

Gjatë takimit, Konjufca theksoi rëndësinë e punës së këtij instituti për dokumentimin dhe faktimin e krimeve të luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.

Ai theksoi se puna e Institutit është esenciale për ndriçimin e të vërtetës historike, kundër mohimit dhe fshehjes së krimeve nga ana e Serbisë, si dhe për krijimin e mundësive për vendosjen e drejtësisë.

Hetemi nga ana e tij e ka njoftuar Konjufcën me punën e deritanishme të institutit, me sfidat dhe të arriturat që priten në vazhdim.

Siç njofton Zyra për Komunikim e Kuvendit, Konjufca e përgëzoi drejtorin Hetemi për punën e madhe të bërë deri tani nga ky institut në grumbullimin e materialeve dhe tha se “kjo shënon një hap domethënës e të domosdoshëm të faktimit të sistemuar”.

Hetemit, Konjufca i ofroi të gjithë mbështetjen e nevojshme “në mënyrë që të ketë rezultate sa më të mëdha në plotësimin e këtij synimi aq të rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe popullin tonë”. /GazetaEnigma/

Related Articles