Konjufca (s)i ka numrat – Edhe 5 ditë përfundon afati për formimin e qeverisë së re

Konjufca (s)i ka numrat – Edhe 5 ditë përfundon afati për formimin e qeverisë së re

Vetëvendosje ka vetëm pesë ditë kohë për ta siguruar shumicën parlamentare për votimin e Qeverisë Konjufca, por partitë që deri tash kanë qenë në opozitë janë të vendosura për zgjedhje të reja. Nga PDK dhe LDK kanë bërë të ditur se nuk janë kontaktuar fare nga LVV-ja, ndërsa nga AAK-ja thonë se janë kontaktuar, por e kanë refuzuar mundësinë e bashkëpunimit.

Edhe pesë ditë kanë mbetur deri në përfundimin e afatit për votimin e Qeverisë së propozuar nga Glauk Konjufca. Megjithatë, dy partitë më të mëdha opozitare pohojnë se nuk kanë pasur asnjë kontakt e se nuk synojnë të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen, ndërsa zgjedhjet e reja i konsiderojnë si zgjidhje të vetme politike.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar se janë kontaktuar nga përfaqësues të Vetëvendosjes, por kanë refuzuar takimin.

“Kanë kërkuar zoti Konjufca për komunikim ose nga zyra e tij, ka pasur kërkesa për takim, por nuk e shohim që me shku në takime ta zëmë si ajo shprehja ‘qitma votën si vëlla se e du Kosovën’”, ka deklaruar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ndërkohë, në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë theksuar të enjten se nuk kanë pasur asnjë komunikim politik me LVV-në lidhur me votimin e mandatarit të dytë për kryeministër. Deputeti Alban Zogaj tha se qëllimi i Vetëvendosjes nuk është të sigurojë shumicën parlamentare, por të fitojë kohë.

“Nuk kemi asnjë informacion deri më tani që është kontaktuar ndonjëri prej anëtarëve të grupit tonë parlamentar për këtë rast. Nuk ka pasur asnjë qasje, as institucionale, as zyrtare partiake e as individuale. Çka po shohim ne këto ditë është krejtësisht qasja e njëjtë sikurse me mandatarin e parë. Mandatari i parë, nuk ka pasur as tendencë e as interesim të krijojë institucionet e vendit. Njëjtë po ndodh edhe me mandatarin e dytë”, ka deklaruar Zogaj.

Në Nismën Socialdemokrate, qëndrojnë po ashtu të vendosur për zgjedhje të reja.

“Nisma nuk ka votë për askënd. Tash situata është thelluar. Presidentja e ka zvarritur tej mase. E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”, thuhet në përgjigjen e kësaj partie. Një ditë më parë, kryetari në dorëheqje i PDK-së, Memli Krasniqi, kishte deklaruar se nuk ka pasur asnjë kontakt me Vetëvendosjen, as kërkesa nga ajo për votimin e Qeverisë.

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka vlerësuar se gjasat për formimin e një qeverie të re janë minimale, pasi mandatari për kryeministër nuk ka bërë asnjë lëvizje konkrete për sigurimin e mbështetjes parlamentare.

“Nuk ekziston një shumicë e re parlamentare që do t’i siguronte më shumë vota sesa i pati mandatari i parë, Albin Kurti. Kabineti që pritet të prezantojë Konjufca është praktikisht i njëjtë me atë të Kurtit dhe pa ndryshime në përbërje ose në ndonjë aleancë të re politike, nuk pritet as rezultat i ndryshëm. Konjufca ka sinjalizuar se nuk kërkon koalicione të reja, por vetëm mirëkuptim për votimin e qeverisë së tij”, ka thënë Jakaj.

Nga Vetëvendosje, ndërkaq, nuk kanë dhënë përgjigje nëse kanë siguruar ndonjë votë më shumë sesa në përpjekjen e parë për formimin e Qeverisë.

Nëse LVV-ja nuk arrin t’i sigurojë votat për përbërjen e re të ekzekutivit, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat pritet të mbahen në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit.

Related Articles