Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke diskutuar të enjten, 28 prill, për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Në diskutim janë dy komisione hetimore për energjinë.
Njëri është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe është përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Komisioni tjetër është propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga mazhoranca dhe opozita të bëjnë hapa prapa për të zgjidhur bllokadën për komisionin hetimor për energjinë.
Ai ka thënë se partia në pushtet duhet të heqë dorë prej diktimit në formulimin e çështjes dhe opozita të rishqyrtojë mundësinë e propozimit për komisionin hetimor.
“Rruga përpara mund të jetë vetëm me një mënyrë, kjo është që mazhoranca të heqë dorë prej kësaj që dikton në formulimin e çështjes dhe opozitës që të rishqyrtojë mundësinë e propozimit sa i përket lënies së lirë që ai grup parlamentar që dëshiron të udhëheq këtë që mos të jetë i përfshirë në nënshkrimet”, ka thënë ai.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se është pro themelimit të komisionit hetimor të propozuar nga opozita, pos sipas tij ekzistojnë disa problem ligjore.
Ai thotë se interpretimi nga Zyra Ligjore e Kuvendit kërkon që ky komision nuk mund të drejtohet nga Driton Selmanaj.
“Nuk mund të themi vetëm, po e themelojmë këtë, nëse nuk ka hapësirë ligjore për ta sqaruar se kush do të jetë drejtuesi. Zyra ligjore thotë se drejtues s’mund të jetë Driton Selmanaj, jo si emër por si rrjedhim, dhe asnjëri prej këtyre që e kanë nënshkruar dhe që i përkasin grupeve parlamentare”.
Sipas Konjufcës këto kufizime për Selmanajn lidhen me drejtimin që ky i fundit ka pasur për Komisionin për Gylenistët.